Associated Press: Plagoset Obama! (I rremë)

24/04/2013 03:55

Associated Press ka njoftuar se llogaria e tyre në Twitter është sulmuar nga hackers-at, pas publikimit të një lajmi të rremë në lidhje me shpërthime në Shtëpinë e Bardhë.

Llogaria e agjencisë së lajmeve është pezulluar, teksa ajo ka këshilluar që të injorohen të gjitha postimet e bëra deri në një njoftim të dytë.

Në mesazhin e rremë lexohej: “Lajmi i fundit: Dy shpërthime në Shtëpinë e Bardhë dhe Barack Obama është plagosur”.

Tregjet amerikane janë prekur nga kjo “cicërimë”; mesatarja industriale e “Dow Jones” ra me 150 pikë, pasi lajmi ishte postuar për herë të dytë. Mbrëmjen e së martës, FBI-ja tha se po hetonte në lidhje me këtë incident.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha për reporterët, menjëherë pasi lajmi u publikua, se presidenti Obama ishte shëndoshë, ndërkohë që pas këtij lajmi tregjet financiare rikuperuan shpejt humbjet e tyre.

Më pas, AP njoftoi se “Llogaria @AP në Twitter është hack-uar. Postimi në lidhje me një sulm në Shtëpinë e Bardhë është i rremë”.

Agjencia tha se sulmi erdhi pas përpjekjeve të vazhdueshme të hackers-ave për të vjedhur fjalëkalimet e gazetarëve të AP, duke shtuar se është duke punuar për të korrigjuar problemin.

Zëdhënësi Paul Colford tha se shërbimi në rrjet ka çaktivizuar edhe llogari të tjera në Twitter, pas sulmit ndaj AP, dhe se po punon me sajtin për të hetuar mbi këtë thyerje fjalëkalimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA