Duke marrë shkas nga sulmet e Bostonit dhe fakti që autorët e dyshuar të tyre janë dy vëllezër me origjinë nga Çeçenia, ligjvënësit republikanë në Shtetet e Bashkuara i kërkuan Kongresit të përqendrohet te forcimi i sigurisë kombëtare, përpara se të shqyrtojë reformimin e sistemit të emigracionit.
Senatori Rand Paul i drejtoi një letër liderit të Senatit, Harry Reid, ku thotë se nuk duhet të bëhen ndryshime të tjera në këtë drejtim, pa u identifikuar më parë pikat e dobëta të sistemit. Ai madje sugjeron edhe pezullimin e përkohshëm të vizave për studentët nga vendet me rrezikshmëri të lartë.
“Faktet që po dalin në dritë nga ngjarja e Bostonit kanë ekspozuar dobësi në sistemin aktual. Nëse nuk e përdorim këtë debat si një shans për të ndrequr hallkat e dobëta, krisjet do të bëhen më të dukshme ditët në vazhdim dhe ne thjesht nuk do të kemi bërë punën tonë”, tha Rand Paul, senator republikan.
Autoritetet ruse e kishin deklaruar Tamerlan Tsarnaev-in në 2011-tën si ndjekës të “islamit radikal” dhe e patën paralajmëruar FBI-në, që nisi një hetim, por nuk zbuloi prova të ndonjë aktiviteti terrorist nga ana e tij.
Tamerlani 26-vjeçar ishte i pajisur me Green Card, por në aplikimin e tij për nënshtetësi ishin ngritur pyetje mbi “karakterin moral” të të riut. Vëllai i tij, Dzhokar, u bë shtetas amerikan shtatorin e vitit të kaluar.
Rand Paul është zëri i fundit nga republikanët konservatorë, që po përpiqen t’i përdorin sulmet e Bostonit për të vonuar reformën e emigracionit. Ligjvënësit amerikanë kanë nisur shqyrtimin e propozimit dypartiak për reformimin e sistemit të emigracionit dhe zgjidhjen e statusit të rreth 11 milionë njerëzve, të cilët kanë hyrë në mënyrë të paligjshme ose kanë qendruar në Shtetet e Bashkuara pas skadimit të vizës.
Projektligji u publikua javën e kaluar, por, pikërisht për shkak të shpërthimeve në Maratonë, atij nuk iu kushtua shumë vëmendje.
Top Channel