Analistë nga fondacione të ndryshme diskutuan për zgjedhjet parlamentare të qershorit në Shqipëri, gjatë një konference mbi këtë temë të zhvilluar në Washington.
Mendimi thuajse i njëzëshëm i pjesëmarrësve ishte se këto zgjedhje janë të një rëndësie kyçe për të ardhmen europiane të vendit, por deri diku edhe për besueshmërinë e Shqipërisë, si anëtare te Aleances Veri-Atlantike.
Jonathan Moore, i zyrës së çështjeve të Europës Qendrore e Jugore, në Departamentin amerikan të Shtetit, i cili vetëm pak ditë më parë ishte në vendin tonë, i mëshoi idesë së domosdoshmërisë për arritjen e standardeve demokratike dhe faktit që zgjedhjet duhet të zhvillohen në datën e caktuar.
“Zgjedhjet janë jashtëzakonisht të rëndësishme, për një vend aspirant për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe për të vazhduar rrugën drejt institucioneve europiane, dhe mënyra se si ato do të zhvillohen është një kriter për Shqipërinë që të ecë përpara. Ky është një moment mjaft i rëndësishëm për qeverinë dhe opozitën, që të tregojnë seriozitetin e angazhimit të tyre për zgjedhje të lira e të ndershme. Çështja kyçe e momentit aktual është që KQZ-ja duhet të gjejë anëtarë, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen dhe, duke qenë se ato janë planifikuar pas dy muajsh, ky problem duhet të marrë zgjidhje. KQZ-ja duhet ristruktuar, që zgjedhjet të zhvillohen dhe një dështim në këtë drejtim do të bënte, që zgjedhjet të mos mbaheshin në kohën e caktuar. Them se askush nga ne nuk mendon, që kjo do të ishte diçka pozitive”, u shpreh Jonathan Moore, zyra e çështjeve të Europës Jug-Lindore, DASH.
“Është e qartë se këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. E ndonëse kjo edhe mund të vihet në diskutim, janë të rëndësishme edhe për besueshmërinë e saj si vend anëtar i NATO-s, jo domosdoshmërisht kur flitet për standarde demokratike, por patjetër kur diskutohet për stabilitetin politik”, tha Rob Benjamin, nga Instituti Demokratik Kombëtar për Çështje Ndërkombëtare.
Gjatë ndërhyrjes së tij në diskutim, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, u tregua skeptik për pritshmëritë nga zgjedhjet e qershorit.
“A mos vallë po shpresojmë pak më shumë se ç’duhet nga këto zgjedhje? Të gjithë kemi rënë dakord se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë kurrë të suksesshme; pse duhet të mendojmë se këtë radhë do të jetë ndryshe? Une dua të pyes: çfare ndodh nëse kemi mosfunksionim të vazhdueshëm të proçesit politik në Shqipëri? Cili do të jetë roli i komunitetit ndërkombëtar në rastin e një skenari të tillë? Cili do të jetë roli i qeverisë amerikane, sepse ne ishim vendimtarë në pranimin e Shqipërisë në NATO, sipas disa kritereve të caktuara, që për mendimin tim duket se po bëjnë hapa prapa?”, deklaroi John Withers.
Për Dritan Taullen, e shoqatës ‘KRIIK Albania’ dhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, zgjedhjet duhet të zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të rifitojne besimin te demokracia dhe institucionet.
Top Channel