
Barazia gjinore dhe pjesëmarrja e grave në jetën publike ishin në fokusin e një konference që PS organizoi në qytetin e Shkodrës në vijim të prezantimit të kapitujve të programit për një Rilindje shqiptare.
Kreu PS Rama apeloi për hapjen e një rruge të re ku përmes politikave të reja të barazisë gjinore të rritet roli dhe pjesëmarrja e gruas në politikën aktive, si në parlament, ashtu edhe në qeverisjen vendore, përfshi administratën publike dhe që kjo të bëhet realitet Rama ndërmori një angazhim konkret.
“Jemi të bindur se ka ardhur koha për të marrë një angazhim konkret, 50 % gra këshilltare në bashki dhe komuna. Eksperienca e ka provuar që funksionon dhe funksionon shumë mirë. Në marrjen në punë në shërbimin publik të grave dhe vajzave të mos ketë diskriminim. Të shtojmë numrin e grave dhe vajzave në përfaqësim, në administratën publike, të nxisim pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sipërmarrje dhe të ndërtojmë një politikë të posaçme për të luftuar papunësinë femërore. Për ne do të jetë një nga objektivat kryesore të mirëqeverisjes pas 23 qershorit”, tha Rama.
Rama u ndal në një tjetër pikë të rëndësishme të programit të PS që parashikon përfitim nga barrëlindja për çdo nënë, pavarësisht nëse është apo jo e punësuar.
“Zotimi ynë është që çdo nënë e re shqiptare do të përfitojë nga barrëlindja edhe kur është e papunë, sepse për ne fëmijët e këtij vendi në barkun e nënës janë fëmijë me të drejta të barabarta në raport me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi kryesocialisti.
Gjithashtu Edi Rama u angazhua që uljen e papunësisë së vajzave dhe grave të jetë një prioritet i mirëqeverisjes së pas 23 qershorit, përfshi dhënien fund të festave dhe mitingjeve të organizuara, sic theksoi ai, me pahir me ata që janë të punësuar në shtet.
Top Channel