Pas një situate të tensionuar, që vazhdoi prej disa orësh, mes banorëve të një pallati dhe përmbaruesve, që kërkonin lirimin e ambienteve në rrugën “Margarita Tutulani”, në afërsi të shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, policia arriti t’i largojë të gjithë banorët nga ndërtesa.
Në mbrëmje tensioni arriti kulmin, kur edhe ajo pjesë e vogël e 16 familjeve, që banonin në këtë pallat, dolën prej tij mes debatesh të shumta. Sipas banorëve, pallati ka qenë i marinarëve italianë, që në kohën e Luftës së Dytë Botërore, dhe më pas janë vendosur aty familjet e tyre.
Por, Gjykata e Lartë ia ka dhënë të drejtën një personi, që pretendon se është pronari për këtë pronë, çka bën që përmbaruesit të kërkonin daljen nga pallati të banorëve.
Ndërkohë, gjatë këtij konflikti, policia ka arritur deri aty sa të shtijë me armë në ajër. Në ndihmë të banorëve kanë ardhur deputetët e Partisë Socialiste, të cilët i kanë kërkuar policisë të dhëna mbi situatën e rënduar dhe dhunën që po ushtrohej ndaj njerëzve.
Ndërkohë, deputeti Sajmir Tahiri është përballur me një surprizë, nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i pezulluar me bujë dy javë më parë, por i rikthyer në heshtje në detyrë ditët e fundit.
Erzen Breçani u pezullua nga detyra për goditje ndaj operatorit të Top Channel. Përmes një deklarate, policia lajmëroi në 9 prill pezullimin e Breçanit, por, me sa duket, pezullimi ka shërbyer për të shuar protestën dhe polemikat.
Dhe pa kaluar as dhjetë ditë nga vendimi i parë, Breçani është kthyer sërish në detyrë dhe është bërë sërish objekt incidentesh me deputetët e opozitës.
Policia tha se Breçani është kthyer në detyrë, pas hetimeve që po kryhen nga Drejtoria e Standardeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ndërkohë që ndaj tij vazhdon të mbetet edhe një kallëzim penal në fuqi.
Pavarësisht argumentimit zyrtar, rikthimi i Breçanit në detyrë, në një kohë kaq të shkurtër, në mënyrë jo transparente, hedh dyshime të forta mbi sinqeritetin e vendimit të pezullimit të tij dhe hetimet e mëtejshme, që vetë policia po kryen për një drejtues të lartë të policisë.
Ndërkaq, banorët e nxjerrë forcërisht nga shtëpitë e tyre thanë se do t’i drejtohen Prokurorisë së Rrethit, me akuzën e ushtrimit të dhunës. Një inspektim mbi ngjarjen e rëndë ka filluar edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit.
Top Channel