Një autobomë ka shpërthyer mëngjesin e së martës jashtë selisë së ambasadës franceze në kryeqytetin e Libisë, Tripoli.
Shpërthimi raportohet të ketë plagosur dy roje dhe të ketë dëmtuar rëndë një pjesë të murit rrethues të ambasadës.
Korrespondentja e BBC në vendin e ngjarjes deklaron se zona pritëse e ambasadës është shkatërruar tërësisht, ashtu si dhe disa shtëpi të së njëjtës lagje.
Një zyrtar tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se: “Mendojmë se makina ishte vendosur për të ngritur një kurth”.
Shpërthimi ndodhi pak pas orës 07:00 me orën lokale, në një zonë rezidenciale të Tripolit, konkretisht në një rrugë të vogël, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme ndërtesave dhe makinave të parkuara aty pranë.
Sipas korrespondentes së BBC, banorët janë të tronditur dhe të trembur nga ky shpërthim dhe kanë thënë se nuk dëshirojnë të jetojnë më pranë një ambasade.
Misionet diplomatike në Libi janë bërë shpesh herë objekt sulmesh në të kaluarën, më spikaturi prej të cilëve ai ndaj konsullatës amerikane në qytetin lindor të Bengazit, në shtator 2012, që shkaktoi vdekjen e ambasadorit Christopher Stevens dhe tre amerikanëve të tjerë.
Megjithatë, vëzhguesit thonë se ky i sotmi është sulmi më frontal ndaj një ambasade të huaj në kryeqytetin libian.
Top Channel