Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano u betua ditën e hënë në
Parlament dhe filloi kështu mandatin e tij të dytë në krye të shtetit.
Pas pritjes cerimoniale nga kryetarët e dy dhomave të parlamentit, presidenti mbajti një fjalim shumë të fortë.
Pasi falenderoi për besimin, Giorgio Napolitano shpjegoi se ka pranuar kundër dëshirës, por i detyruar nga “amullia fatale” në të cilën politika ka çuar vendin. Ai theksoi se ka ardhur çasti për gjetjen e marrëveshjeve të bashkëpranuara duke kapërcyer shurdheritë e të kaluarës.
‘Përndryshe, – shtoi presidenti,- nuk do të hezitoj të marr masat e nevojshme’. Ai aludonte për mundësinë e shpërndarjes së parlamentit, gjë që të gjitha palët politike po mundohen të evitojnë. Kreu i shtetit në analizën e tij përmendi si të pafalshme mosrealizimin e reformës zgjedhore.
Fjalimi i Napolitanos u prit me entuziazëm të veçantë në sallë, ai u ndërpre 30 herë nga duatrokitjet e deputeteve dhe senatorëve. Një reagim shumë pozitiv pas zgjedhjes së Napolitanos patën edhe bursat. Piazza affari e Milanos mbylli me +1,66%.Por vlerësimet e mëdha për presidentin nuk e lehtësojnë ama krijimin e qeverisë.
Axhenda e Napolitanos është shumë e ngjeshur: që sot ai nis konsultimet me palët politike, mendohet se deri të enjten ose maksimumi në fund të kësaj jave ai duhet të ngarkojë dikë për krijimin e qeverisë. Presidenti duket se dëshëron që në krye të qeverisë të jetë politikani me pëervojë të gjatë Giuliano Amato. Por ndoshta partitë duan një emër më të pranueshëm nga elektorati i tyre. Një gjë është e sigurt, tani e tutje presidenti Napolitano nuk pranon më asnjë kushtëzim.
Top Channel