Policia indiane ka arrestuar edhe personin e dytë në lidhje me akuzat për rrëmbim dhe përdhunim ndaj një vajze 5-vjecare në New Delhi, ka thënë një zëdhënës i policisë gjatë së hënës.
Personi i dytë akuzohet si bashkëpunëtor në këtë rast, i cili ka shkaktuar sërish protesta në rrugët e Delhit. Ai do të transferohet në Delhi nga shteti Bihar, në lindje të Indisë, për t’u marrë në pyetje dhe për të zhvilluar testet e ADN-së, njoftoi zëdhënësi i policisë, Rajan Bhagat.
Policia deklaroi më parë se një tjetër i dyshuar ishte arrestuar, i quajtur Manoj Kumar, i cili kishte rrëfyer edhe për bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, gjatë marrjes në pyetje.
Kumar, fqinji i vajzës, akuzohet se ka abuzuar me të më 14 prill, duke e mbyllur atë në shtëpinë e tij dhe duke e përdhunuar vazhdimisht. Vajza u gjet gjysmë-koshiente, 3 ditë më vonë.
Doktorët kanë thënë se kanë hequr disa objekte, përfshi copëza qiriri dhe një shishe të vogël nga organi gjenital i vajzës, teksa gjendja e saj ka nisur të stabilizohet.
Situata është përshkallësuar nga një tjetër aspekt i neveritshëm, pasi familja e vajzës i tha policisë se i arrestuari ishte përpjekur t’u jepte rryshfet atyre, për të mos folur mbi këtë ngjarje.
Zyrtarë të lartë të policisë kanë nisur hetime të ndara mbi këto akuza. Akuza për sulmin ndaj 5-vjecares ka ardhur vetëm 4 muaj pasi një 23-vjecare, studente fizioterapie, u mor peng dhe u përdhunua brenda një autobusi në Delhi, duke nxitur protesta të dhunshme në Indi. Ajo ndërroi më pas jetë në një spital të Singaporit.
Top Channel