Parlamenti Francez votoi pasditen e së martës me shumicë pro legalizimit të martesave dhe birësimeve nga çiftet e së njëjtës gjini, pavarësisht presionit publik kundër këtij hapi.
Me këtë lëvizje, Franca shndërrohet në vendin e 14 në botë që njeh të drejtën e martesës për anëtarët e komunitetit LBGT (Lesbikë, Biseksualë, Gay dhe Transeksualë).
Protesta dhe manifestime përkrahese janë lajmëruar që të mbahen në orët në vazhdim.
Përballë një situate të tensionuar, për shkak të ndasive të thella të publikut mbi miratimin ose kundërshtimin e këtij ligji, policia ka marrë masa shtesë për garantimin e sigurisë në të gjithë qytetet kryesore.
Për presidentin Hollande, legalizimi i martesave homoseksuale ishte një prej premtimeve kryesore të fushatës elektorale.
Që prej muajit shkurt, kur parlamenti nisi procedurën për ndryshimin e kodit civil për martesën dhe birësimet, në Francë janë mbajtur manifestime dhe kundërmanifestime masive.
Në protestën më të madhe paqësore në historinë e Francës moderne, mbi një milionë persona marshuan në Paris në muajin shkurt kundër lejimit të këtyre martesave, ndërsa mbështetësit e projektligjit u tubuan të nesërmen në mbi 400 mijë vetë.
Ndonëse lëvizjet kundër martesave dhe birësimeve të fëmijëve nga çiftet e së njëjtës gjini janë të fuqishme, sondazhet tregojnë se 55-60% e francezëve e pranojnë martesën dhe 50% edhe birësimin.
Kundërshtarët kryesorë të projektligjit, Kisha Katolike dhe opozita konservatore argumentojnë se kjo lëvizje minon harmoninë dhe ndërtimin thelbësor të shoqërisë.
Vendosmëria e Hollande për të kaluar këtë ligj dhe disa reforma të tjera të dështuara, bëjnë që presidenti të përballet me nivelin më të ulët të një presidenti në historinë e Francës, pas një viti drejtimi të vendit.
Opinioni publik për Hollande është dëmtuar edhe nga pamundësia e rikthimit të rritjes ekonomike, ndikimi i presidentit për një rritje drastike takash dhe nga rritja e papunësisë mbi kufirin e 10%.
Top Channel