Femrat shqiptare janë bërë për herë të parë pjesë e Parlamentit në Legjislaturën e parë, atë të viteve 1945-1950. Në një total prej 82 deputetësh, 6 prej tyre ishin femra.
Katërvjeçari pasues çoi numrin e tyre në 17, duke u rritur progresivisht deri në legjislaturën 1974-1978, ku nga 250 deputetë në Parlament, 88 prej tyre ishin femra. Disa prej tyre, njëkohësisht edhe anëtare të Byrosë Politike të atyre viteve, u emëruan ministre për më shumë se një mandat.
Ministrja femër më jetëgjatë në Parlamentin e para ’90-ës ka qenë Themie Thomai, ministre e Bujqësisë në vitet 76-89. Tefta Cami, tjetër figurë e njohur politikaneje e atij regjimi, qëndroi për 11 vite në krye të Ministrisë së Arsimit, në vitet 76-87. Vito Kapo mbajti tetë vite postin e ministres së industrisë së lehtë nga viti 82 deri në vitin ’90.
Në legjislaturën më të fundit, para përmbysjes së diktaturës, në vitet ‘87-‘91 në Parlament hynë 75 gra. Numri më i ulët i femrave në Parlament ka qenë në legjislaturën 91-92, në zgjedhjet e parakohshme, me vetëm 9 gra deputete, tetë të Partisë Demokratike dhe një e Partisë Socialiste, e cila ishte Ermelinda Meksi.
Gratë politikane në Shqipëri, pas viteve ‘90
As përmbysjet e sistemeve dhe as rotacioni i vazhdueshëm në politikën e vendit nuk kanë ndikuar në përmirësimin e situatës së përfaqësimit të grave në politikë.
Pavarësisht apeleve të ripërsëritura ndërkombëtare për pjesëmarrje prej 30% të femrave në politikë, skena mbizotërohet ende nga meshkujt.
Statistikat tregojnë se numri më i madh i femrave në Parlament është arritur pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, ku të gjitha partitë politikë janë përfaqësuar nga 23 deputete femra. Vendin e dytë e zënë zgjedhjet e vitit 1996, ku 21 gra fituan mandatin e deputetes.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 u mbyllën me dhjetë gra deputete, ndërsa legjislaturat me më pak deputete femra janë ato të mandatit ’92-’96 me 9 gra dhe në vitet 2001-2005 me të njëjtën shifër. Situata u përmirësua pas ndryshimit të sistemit zgjedhor, falë të cilit ndarja e grave në grupe parlamentare është e barabartë, ku 11 do të jenë deputete femra nën siglën e Partisë Socialiste dhe 11 të tjera nën siglën e Partisë Demokratike.
Si veteranet e Kuvendit të Shqipërisë njihen Jozefina Topalli nga Partia Demokratike dhe Ermelinda Meksi nga Partia Socialiste, me më shumë se dy mandate. Grupmosha e femrave ne politike varion nga 30-50 vjeç dhe vetëm pak prej tyre janë propozuar si kandidatura dhe kanë fituar më shumë se një mandat.
Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga profesionet e ekonomistes, juristes dhe pedagoges, por përgjatë Legjislaturës së fundit nuk kanë munguar as aktoret.
Politikanet femra nëpër botë
Nuk janë vetëm kandidate të duhura për një vend pune, por edhe femra tek të cilat mund të besosh verbërisht që të drejtojnë “timonin” e një shteti. Të ardhura nga formime dhe profesione të ndryshme, ato kanë treguar se dinë të përballojnë mirë presionin dhe përgjegjësinë për të nxjerrë një vend nga kriza dhe për t’ua bërë jetën më të sigurt dhe më të mirë njerëzve që i votojnë.
Janë femrat që drejtojnë politikën anë e kënd globit, që janë vlerësuar nga revistat më prestigjioze në botë dhe shpeshherë janë po aq të famshme sa futbollistët më të paguar. Vetëm pak ditë më parë humbi jetën Margaret Thatcher, një prej femrave që la gjurmë në histori për pushtetin dhe karakterin e fortë. E ashtuquajtura “Zonja e Hekurt”, Thatcher shembi tabutë dhe i tregoi mbarë botës se femrat mund të ishin po aq të afta sa dhe meshkujt për të mbajtur përgjegjësi aq të mëdha mbi supe.
Me kalimin e viteve e kryesisht përgjatë kohëve të fundit, në arenën politike ndërkombëtare femrat lidere sa vijnë e shtohen. Në lidhje me këtë fenomen, pak muaj më parë, revista prestigjioze ‘Forbes’ klasifikoi femrat më të fuqishme të botës për vitin 2012, të cilat vijnë nga fusha e politikës. Me tepër se një renditje, ‘Forbes’ evidentoi edhe ndryshimet dinamike të përfshirjes së grave në politikë.
Kryesuesja e listës së femrave më të pushtetshme në botë ishte kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila u bë e famshme për “dorën e fortë” që i dha jo vetëm Republikës Federale Gjermane, por edhe të gjithë vendeve në krizë të Eurozonës. Merkel u ndoq në këtë renditje nga ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hilary Clinton. Clinton, njëkohësisht ish-Zonja e Parë e Amerikës, u bë e njohur për politikat e ndjekura përtej detit, kryesisht në kontributin dhënë për ndihmën ndaj grave dhe çështjet e zhvillimit dhe arsimit, të cilat e çuan në majë axendën e politikave të jashtme.
Dilma Rousseff, presidentja e Brazilit, u rendit në vendin e tretë, për meritat e veçanta që dha në rimëkëmbjen dhe forcimin e ekonomisë vendase. Me profesion ekonomiste, ish-guerilasja marksiste mbështeti iniciativat e biznesit të vogël dhe projektet madhore të infrastrukturës, që e çuan vendin drejt një ere të re zhvillimi.
Në dhjetëshen e parë të ‘Forbes’ u renditën gjithashtu Sonia Gandhi, presidente e Partisë Kombëtare Indiane dhe Janet Napolitano, drejtuesja e parë femër e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve.
Përgjatë kohëve të fundit, edhe vende fanatike u kanë besuar grave drejtimin , duke nisur nga presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, Aung San Suu Kyi, sekretarja e përgjithshme e Ligës Kombëtare të Demokracisë në Burma, kryeministrja e Australisë, Julia Gillard, Yingluck Shinawatra, kryeministrja e Tailandës, Joyce Banda, presidente e Malavit, dhe Ellen Johnson-Sirleaf, presidente e Liberisë.
Pas tyre gjendet një numër shumë i madh zgjedhësish dhe mbështetësish.
Top Channel