
24 parti të qendrës së djathtë dhe të qendrës shpallën koalicionin parazgjedhor të drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha. Ky koalicion, i quajtur “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, i ka treguar në emrin e tij objektivat për një mandat të ri katër vjeçar qeverisës.
“Ne zgjodhëm si moton tonë kryesore të Aleancës punësimin e qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe ne jemi të vendosur, që të gjitha reformat tona të kenë rezultat final punësimin e qytetarëve shqiptarë. Beteja jonë për mirëqenie do të jetë beteja më e fuqishme, që ne kemi zhvilluar ndonjëherë”, tha Berisha.
Kur flet për integrimin europian, i cili është gjithashtu pjesë e emrit të koalicionit të djathtë parazgjedhor, kryeministri Berisha, si gjithmonë, nuk ngurron të nxjerrë në pah atë që e quan “bllokim nga brenda” të marrjes së statusit kandidat, për shkak të mosvotimit të tre ligjeve të integrimit nga opozita.
“Sot në Ëashington, në një takim nga seriozët, do të deklarohej botërisht se opozita shqiptare, për interesa të veta, bllokoi integrimin e popullit të vet. Unë jam i binbur se 23 qershori do të jetë përgjigja më e mirë e shqiptarëve për axhendën europiane”, shtoi Berisha.
Në këtë fushatë, socialistët kanë një numër më të madh partish në koalicion, se sa demokratët. Por, kryeministri Berisha thotë se në koalicionin e drejtuar prej tij marrin pjesë 24 parti nga 35 gjithsej, që morën pjesë në zgjedhjet e 2009-ës.
“Janë parti me histori të qartë elektorale, kundrejt halave dhe ngjalave të Aleancës tjetër. Po! Kjo është aleancë e vlerave dhe të vërtetave elektorale”, përfundoi Berisha.
Kryeministri Berisha ftoi shqiptarët të bashkohen me të, në një fushatë qytetare dhe, nëpërmjet fitores së Partisë Demokratike më 23 qershor, t’i japin vendit një qeveri, ku mbizotërojnë vlerat e vokacionit perëndimor të shqiptarëve.
Top Channel