BE: Zgjedhjet janë kryefjala   

23/04/2013 00:00

Pas Këshillit të 5-të të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Luksemburg,
kryefjala e konferencës për shtyp ishte mbarëvajtja e zgjedhjeve
parlamentare të vitit 2013, nga e cila varet integrimi i vendit, si për
statusin kandidat, ashtu edhe për negociatat për anëtarësim.

“Bashkimi Europian e konsideron të një rëndësie thelbësore mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me standartet ndërkombëtare dhe europiane. Do të jetë një test për funksionimin e patrazuar të institucioneve demokratike të vendit, dhe në të vërtetë për progresin në rrugën e integrimit europian. Siç e dini, ne kemi shprehur shqetësimin tonë për pasojat e votimit të fundit në parlament. Dialogu duhet të mbizotërojë mbi përplasjet”, tha Lucinda Creighton, Ministre e Çështjeve Europiane.

Top Channel: A ishte votimi në parlament dhe emërimi i anëtarit të KQZ-së në përputhje me standartet europiane që kërkohen për zgjedhjet ?

Shtefan Fyle: Mund ta them shumë qartë se ajo së cilës iu referuat, nuk është në frymën e konsensusit që çoi palët e interesuara drejt një marrëveshje për Kodin Zgjedhor vitin e kaluar. Dhe ne e shfrytëzuam këtë takim për t’i bërë thirrje të gjitha palëve për të rifreskuar urgjentisht konsensusin për hir të Shqipërisë dhe qytetarëve të vendit. Me lini të theksoj se sipas Kodit Zgjedhor shqiptar, organet e administrimit të zgjedhjeve duhet të kryejnë detyrat e tyre në një mënyrë profesionale dhe të paanshme, dhe të funksionojnë në mënyrë të qetë, transparente dhe jo-partizane. Duhet garantuar pavarësia e KQZ-së.

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu: Në emër të qeverisë unë dhashë garanci se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të lira, të ndershme, dhe do të plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare. Dhe mendoj se kjo është e rëndësisë madhore për Shqipërinë, jo vetëm për ne forcat politike shqiptare, por e rëndësisë më madhore për integrimin europian gjithashtu. Duke mbajtur parasysh gjithashtu apelin e Komisionit, se rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet, pavarësisht se kush do të jetë fituesi apo humbësi.

I pyetur se cilat do të jenë pasojat nëse vendi nuk organizon zgjedhje të lira dhe të ndershme, Komisioneri Fyle u përgjigj: “Mendoj se në fund të fundit i takon vendeve anëtare, pasi i gjithë procesi i zgjerimit zhvillohet, drejtohet dhe kontrollohet përtej çdo dyshimi nga vendet anëtare. Unë do të them vetëm se çdo gjë që nuk do të përputhej me standartet europiane do të komplikonte rrugën e integrimit të Shqipërisë dhe do ta çonte Shqipërinë larg statusit kandidat dhe larg nisjes së negociatave për anëtarësim. Kjo është shumë e qartë”.

Në përfundim të Këshillit të 5-të të Stabilizim Asociimit u miratua një deklaratë e përbashkët, ku përfshihen disa prej qëndrimeve të BE-së, të publikuara një ditë më parë nga Top Channel, në lidhje me sfidat kryesore që përballet vendi në rrugën e integrimit europian.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel