
Marrëveshja e javës së kaluar Kosovë-Serbi, i çeli rrugën miratimit nga
Komisioni Evropian të rekomandimeve pozitive për integrimin e mëtejshëm
të dy vendeve drejt Bashkimit Evropian.
“Komisioni Europian miratoi rekomandimet për Këshillin dhe vendet anëtare, për të nisur negociatat për anëtarësim me Serbinë. Më herët gjatë ditës Komisioni gjithashtu i rekomandoi këshillit dhe vendeve anëtare të nisin negociatat për një Marrëveshje Stabilizim-Asoociimi me Kosovën. Pra kjo është histori në ndërtim e sipër, për të dyja, Kosovën dhe Serbinë, me vështrimin nga e ardhmja”, thotë Komisioneri Europian për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle.
Pas rekomandimit të Komisionit, i takon Këshillit të Ministrave, të mbledhur në Luksemburg, që të vendosin për ecurinë e dy vendeve drejt BE-së. Para nisjes së takimit, disa prej ministrave përshëndetën marrëveshjen, ndërsa theksojnë se me rëndësi është të shihet zbatimi i saj.
“Për atë që do të ndodhë realisht, unë pres që ne do të diskutojmë sot se kur mund të nisin negociatat për anëtarësim me Serbinë dhe kur mund të nisin negociatat për marrëveshjen e stabilizimit me Kosovën », thotë Eamon Gilmore, ministër i Jashtëm.
“Le ta shohim me shumë kujdes. Unë dua të dëgjoj raportimin e Catherine Ashton, por dua t’ju them se jam shumë pozitiv për këtë hap dhe komplimentoj të dyja palët që kanë hedhur këtë hap historik”, thotë Frans Timmermans, ministër i Jashtëm i Holandës.
“Unë i përgëzova Serbinë dhe Kosovën për marrëveshjen e tyre. Ky është një hap i mirë që në e respektojmë. Ende duhet që të zbatohet dhe ne shpresojmë që do të ndodhë kështu”, thotë Guido ëestervellë, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
27 ministrat e BE-së pritet të vendosin gjatë mbledhjes së sotme në Luksemburg për përcaktimin e datave për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe për nisjen e negociatave për MSA-në me Kosovën.
Pergatiti ERNEST BUNGURI
Top Channel