Prokurorët ngritën akt-padinë për 19-vjeçarin Dzhokar Tsarnaev, në lidhje me shpërthimet e Bostonit, duke e akuzuar me përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë, por Shtëpia e Bardhë sqaroi se ai nuk do të trajtohet si luftëtar armik.
E ndërsa i riu, që po kurohet në spital, rrezikon dënimin me vdekje, hetuesit rrethohen nga pyetje që presin përgjigje mbi sulmin e ndërmarrë, sipas gjasave nga dy vëllezërit çeçenë.
Tsarnaev nuk mund të flasë për shkak të një plage në fyt, pasojë, siç raportohet, e tentativës për vetëvrasje, por gjatë seancave të shkurtra të intervistimit është duke u përgjigjur me shkrim.
E gjithë pesha e fakteve të mbledhura do të rëndojë mbi të, duke qenë se i vëllai u vra të premten në shkëmbimzjarrin e ashpër me policinë. Ajo që hetuesit këmbëngulin të mësojnë prej tij është pikë së pari nëse planifikoheshin sulme të tjera.
Zyrtarë amerikanë të sigurisë thonë se po të mos ishte kapur 19-vjeçari dhe të mos vdiste i vëllai, të dy ata mund të kishin ndërmarrë sulme të tjera, aq më tepër që të dyshuarit kishin me vete armë dhe lëndë plasëse.
Megjithatë, për ta pohuar me siguri të plotë një gjë të tillë do të duhet konfirmimi i Tsarnaevit. Në fokus do të jetë edhe udhëtimi 6-mujor i vëllait të madh, Tamerlanit, janarin e vitit 2012, gjatë të cilit shkoi fillimisht në Moskë, pastaj në Dagestan, e më vonë në Çeçeni.
Prindërit thonë se thjesht ishte takuar me të afërmit e miqtë. Autoritetet amerikane duan të dinë nëse ka pasur ndonjë lloj bashkëpunimi të grupeve terroriste jashtë kufijve për shpërthimet e Bostonit; a është përfshirë apo jo ndonjë grup islamik në planifikimin e sulmeve.
Një organizatë e tillë që drejton rebelimin kundër Rusisë në rajonin e Kaukazit me shumicë muslimane, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se lufta e tyre nuk është me Shtetet e Bashkuara dhe se distancohen krejtësisht nga ngjarjet e Bostonit.
Ne luftojmë me Moskën, përgjegjëse jo vetëm për pushtimin e Kaukazit, por edhe të krimeve monstruoze kundër muslimanëve, thuhet në deklaratën e saj. Motivi i sulmeve vazhdon të mbetet i rrethuar me mister: përse do ta bënin vëllezërit një gjë të tillë.
Që pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, përpara gati një dekade, ata ishin përshtatur më së miri me jetën atje; Tamerlan ishte një boksier mjaft i zoti dhe, në një moment të caktuar, kishte pasur pretendime për ekipin olimpik amerikan.
Dzhokari përshkruhet nga të gjithë pa hezitim si një i ri me perspektivë, shumë i zgjuar e miqësor. Të dy vëllezërit ishin vërtet besimtarë muslimanë, por miqtë nuk panë kurrë tek ata ndonjë shenjë dhune apo idesh radikale.
Dhe në këtë situate, mbërrin pyetja tjetër e mbetur ende pa përgjigje: përse nuk u larguan? Pas shpërthimeve, Dzhokari u kthye në kampusin e Universitetit të Massachusetsit për të vazhduar si normalisht jetën studentore; Tamerlani u kthye në shtëpinë e tij përpara ndjekjes fatale dhe shkëmbimzjarrit me policinë në Watertown.
Edhe pse forcat e rendit deklaruan se ai ishte vrarë pikërisht gjatë këtij episodi, deri më tani askush nuk e ka sqaruar me saktësi se si vdiq 26-vjeçari.
Top Channel