
Partia Demokratike ka nisur prej dy ditësh bisedimet me partitë që bëjnë pjesë aktualisht në koalicionin qeveritar, ose që janë rreshtuar përkrah saj duke marrë pozicione të tjera në organet e qeverisjes vendore.
Dy negociatorët, sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode dhe shefi i kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi, njëri nga hartuesit e Kodit Zgjedhor, me autorizim të kryesisë së Partisë Demokratike, janë personat që po çojnë përpara negociatat me aleatët.
Kryeministri Berisha e ka cilësuar koalicionin parazgjedhor si aleancën më të madhe të partive të qendrës së djathtë dhe të qendrës, çka do të thotë se pritet të rikonfirmojnë pjesëmarrjen në koalicion qeverisës të gjitha partitë aktuale.
Ndër më kryesoret dhe që marrin më shumë vota janë Partia Republikane, e cila ka lënë të kuptohet se mund të përfshihet me vende në listat e demokratëve, pasi kështu bëhet një shpërblim i drejtë për votat e mbledhura nga republikanët dhe i motivon ata më shumë për rezultat sa më të lartë.
Me këtë filozofi mund të veprohet edhe me disa parti të tjera që mbledhin vota domethënëse në disa qarqe, si Partia Demokristiane me përfaqësim në Lezhë dhe në Shkodër, partia Lëvizja e Legalitetit, kryesisht në dibër, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit, me ndikim në Tiranë.
Historikisht partia demokratike nuk ka injoruar edhe parti me numër jo të konsiderueshëm votash, pasi sipas saj, një koalicion bëhet më i fortë dhe i maksimalizon më mirë votat, me sa më shumë parti që përfshihen në koalicion.
Një parim të cilit iu referua edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, kur foli për vazhdimësinë e bisedimeve pa dhënë detaje, por duke lënë derën hapur për partitë e spektrit të qendrës dhe qendrës së djathtë.
“Janë rreth 25 parti që kanë përfunduar negociatat dhe janë kontaktuar. Do të vazhdojmë sot dhe nesër. Përfitoj nga rasti për t’u bërë thirrje të gjitha partive të djathta dhe qendrës së djathtë që kanë vullnetin për të qenë një koalicion për zgjedhjet”, deklaroi Bode, i cili nuk e përjashtoi as mundësinë e afrimit të FRD-së.
“Kjo është një ftesë për të gjitha partitë që e ndjejnë veten në këtë spektër, të cilat mund të rreshtohen këtu sipas programit të tyre politik”, u shpreh Bode.
FRD-ja e Bamir Topit është një parti e deklaruar si e qendrës së djathtë, por deri tani as FRD-ja nuk ka kontaktuar me PD-në dhe as PD-ja nuk ka bërë ndonjë hap më konkret për ta afruar atë në koalicion, çka do të ishte në fakt surpriza e koalicionit parazgjedhor.
Kodi Zgjedhor parashikon regjistrimin e koalicioneve jo më vonë se 60 ditë nga data e zgjedhjeve, që do të thotë se afati skadon mesnatën e datës 24 prill.
E fundit që ka marrë vendimin për koalicion me PD ka qenë LDK e Nikollë Lesit, që vendosi pasdite për këtë çështje.
Berisha ironizon paktin Rama-Meta
Kryeministri Sali Berisha e cilësoi zyrtarizimin e koalicionit të majtë parazgjedhor, si koalicionin e së shkuarës, që përsëriti historinë 72 vjet më pas.
Kryeministri Berisha e thotë këtë për shkak të pranisë, gjatë firmosjes së marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, të partive të majta ballkanike, duke i konsideruar ato pasardhëse të Partisë Komuniste Jugosllave të Josip Broz Titos, njerëzit e të cilit themeluan 72 vjet më parë Partinë Komuniste Shqiptare.
Në statusin e tij në Facebook, kryeministri shkruan se “ata që ua themeluan partinë në nëntor 1941, e rithemeluan atë në prill të 2013-ës”. Të njëjtin vlerësim, kryeministri e bëri edhe gjatë një aktiviteti të përbashkët me Bashkinë e Tiranës në ditën e Tokës.
“Ne mbjellim pemë, ata në Shkodër firmosin epitafin e Rilindjes. Por, ironia e fatit, ata që ua themeluan partinë, ua rithemeluan atë përsëri. Ne do vazhdojmë të kujdesemi për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve”, ka deklaruar Berisha.
Bashkë me kryetarin e Bashkisë, Lulzim Basha, kryeministri Berisha zgjodhi të mbjellë një pemë dafine, simbol i fitores. Me këtë mesazh, kryeministri mbyll edhe statusin e tij në Facebook, ku bën një urim ironizues për kundërshtarët e tij politikë dhe, nëpërmjet sloganit të demokratëve, fton shqiptarët të ecin përpara.
Top Channel