Autoritetet kanadeze kanë arrestuar dy persona, si të akuzuar për ideimin e një sulmi terrorist në një tren pasagjerësh, në atë që pritej të ishte një komplot i mbështetur nga Al-Qaeda, bëri të ditur policia mbretërore e Kanadasë, ditën e hënë.
Chiheb Esseghaier, 30 vjeç nga Montreal, dhe Raed Jaser, 35 vjeç nga Toronto, akuzohen për konspiracion me qëllim vrasjen e individëve në trenin e hekurudhës kanadeze VIA, deklaroi policia vendase.
Edhe pse të dyshuarit kishin kapacitete dhe aftësi për të kryer sulmin, publiku nuk u gjend në asnjë moment në rrezik të pashmangshëm, shtoi më tej policia për reporterët.
Policia tha se të dyshuarit “kishin mbështetje nga elementë të al-Qaeda-s në Iran”. Mbështetja nënkuptonte drejtimin dhe udhëzime ndaj tyre, njoftoi ajo.
Të dyshuarit, të cilët nuk janë qytetarë kanadezë, pritet të paraqiten për herë të parë në gjykatë ditën e martë.
Ata akuzohen me konspiracion për kryerjen e një sulmi dhe vrasjen e personave të panjohur, për përfitimin apo me udhëzimin e, apo në lidhje me grupe terroriste, deklaroi policia në një njoftim.
Lajmi i arrestimit erdhi në po të njëjtën ditë, kur parlamenti kanadez debatoi për një projekt-ligj kundër terrorizmit.
Një zyrtar i policisë kanadeze tha për CNN, se nuk ka lidhje mes hetimeve në Kanada dhe sulmit me bomba në Boston, duke shtuar se nuk ka ende lidhje të njohura me kanadezët e përfshirë në sulmin terrorist në impiantin e gazit në Algjeri, në janar.
Korporata kanadeze Transmetuese citoi “burime shumë të informuara” të kenë thënë se të dyshuarit ishin nën vëzhgim prej më shumë se një viti.
CBC raportoi se hetimi ishte “pjesë e një operacioni ndërkufitar, përfshi agjencitë e zbatimit të ligjit në Kanada, FBI-në dhe Departamentin amerikan të Sigurisë Kombëtare”.
Top Channel