Francë, manifestim kundër martesave gay

22/04/2013 15:30

Të paktën 45 mijë francezë marshuan në manifestimin e fundit madhor kundër lejimit të martesave dhe birisëmit midis partnerëve të të njëjtës gjini, përpara se Parlamenti të votojë gjatë javës një projektligj që ka ndarë vendin.

Një premtim i presidentit Hollande, ai i lejimit të martesave homoseksuale, ka ngjallur reagime të ashpra në Francë, me manifestime dhe kundërmanifestime midis kundërshtarëve dhe mbështetësve të këtij ligji.

Në protestën më të madhe paqësore në historinë e Francës moderne, mbi një milionë persona marshuan në Paris në muajin shkurt kundër lejimit të këtyre martesave, ndërsa mbështetësit e projektligjit u tubuan të nesërmen në mbi 400 mijë vetë.

Vendosmëria e Hollande për të kaluar këtë ligj dhe disa reforma të tjera të dështuara, bëjnë që presidenti të përballet me nivelin më të ulët të një presidenti në historinë e Francës, pas një viti drejtimi të vendit.

Opinioni publik për Hollande është dëmtuar edhe nga pamundësia e rikthimit të rritjes ekonomike, ndikimi i presidentit për një rritje drastike takash dhe nga rritja e papunësisë mbi kufirin e 10%.

Ndonëse lëvizjet kundër martesave dhe birësimeve të fëmijëve nga çiftet e së njëjtës gjini janë të fuqishme, sondazhet tregojnë se 55-60% e francezëve e pranojnë martesën dhe 50% edhe birësimin.

Kundërshtarët kryesorë të projektligjit, Kisha Katolike dhe opozita konservatore argumentojnë se kjo lëvizje minon harmoninë dhe ndërtimin thelbësor të shoqërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA