Tërmeti në Kinë, rritet bilanci i tragjedisë

21/04/2013 13:45

Numri i viktimave të tërmetit 6,6 sipas magnitudës rihter, që tronditi mbrëmjen e së shtunës Kinën Qëndrore ka kaluar 200 viktima, ndërsa vazhdojnë kërkimet intensive në rënoja për të gjetur të mbijetuar apo trupa të tjerë të pajetë.

Lëkundjet e tokës, të përqëndruara në disa zona rurale të krahinës së Sichuanit, plagosën gjithashtu mbi 11 500 persona.

Ndërsa pritet të gjenden trupa të tjerë të pajetë në rënoja, bilanci i fatkeqësisë parashikohet të rritet edhe sepse nga dhjetëra mijëra të plagosurit, të paktën 960 prej tyre janë në gjendje të rëndë për jetën.

Puna e forcave të shpëtimit u vonua në momentet pas tronditjeve nga shkarjet e dheut, që kishin bllokuar rrugët e komunikimit, por aktualisht, operacionet e shpëtimit po vazhdojnë më të gjithë zonën në shkallë të gjerë.

Në Kinë, fenomenet sizmike nuk janë një gjë e panjohur. Në vitin 2008, një tërmet i fuqishëm i kushtoi jetën mbi 70 mijë personave.

Një numër vendesh i kanë ofruar ndërkohë ndihmë Kinës për këtë tërmet, midis tyre edhe Japonia, e cila është e përfshirë aktualisht në një konflikt të ashpër me Pekinin, për sovranitetin e një grupi ishujsh dhe shkëmbinjsh në Detin e Kinës Lindore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA