Disa parti të koalicionit qeveritar kanë konfirmuar përfshirjen e tyre në koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike.
Aleatja historike, Partia Republikane, e vendosi këtë në konventën e saj, duke lënë të kuptohet se, përveç kandidimit me logon e saj, do të kërkojë përfshirje të republikanëve në listat e demokratëve.
“Është një konventë, e cila do të autorizojë kryetarin e Partisë Republikane dhe kryesinë e saj, për të diskutuar dhe vendosur marrëdhëniet politiko-elektorale me koalicionin e djathtë. Koalicion, i cili duhet të garantojë fitoren e së djathtës, por padyshim duhet të garantojë dhe nuk mund të vendosë në asnjë mënyrë në diskutim përfaqësimin parlamentar të Partisë Republikane”, tha Mediu.
Edhe PDIU-ja autorizoi kryetarin e saj, Shpëtim Idrizi, të nisë negociatat për koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike, por ende nuk kanë bërë publike kërkesat e tyre.
Ndërsa partia Lëvizja e Legalitetit, duke bërë publike emrat e disa kandidatëve të saj, përfshirë kryetarin, ka futur në listat e saj edhe përfaqësues të shoqatave të të përndjekurve politikë. Vetë princi Leka mund të jetë pjesë e listave të demokratëve.
“Partia Lëvizja e Legalitetit do të konkurrojë në zgjedhjet e 23 qershorit, pavarësisht koalicionit, me emrin e saj, me kandidatët e saj, me programin e saj dhe me simbolet e saj”, tha Spahiu.
Nga ana tjetër, Fryma e Re Demokratike nuk ka vendosur ende, se si do të paraqitet në zgjedhje, por e sigurt është se nuk do të jetë në koalicion as me demokratët, as me socialistët.
“Jemi shprehur nga forumet se Fryma e Re Demokratike nuk do të bëjë aleancë parazgjedhore me asnjë nga partitë e vjetra. Jemi duke konsideruar disa oferta reciproke që i bëhen partive, por nuk përjashtohet edhe mundësia që FRD, në emër të parimeve dhe seriozitetit mbi të cilin është ndërtuar dhe krijuar, mund të hyjë edhe e vetme në zgjedhje”, deklaroi Bamir Topi.
Paskal Milo përgënjeshtroi zërat për shkrirjen e PDS-së me Partinë Socialiste. Duke qenë i gatshëm për koalicion parazgjedhor, edhe zoti Milo la të kuptohet se kusht i bashkimit është përfshirja në listat e socialistëve.
“Partia Demokracia Sociale ka qenë me kohë dhe mbetet për bashkimin e të majtës, por një bashkim në bazë të një platforme të duhur dhe është duke pritur se kur do të negociohet për të nënshkruar marrëveshjen përfundimtare”, tha Paskal Milo.
Top Channel