Sulmohen gjatë natës zyrat e PS në qytetin e Librazhdit. Persona ende të paidentifikuar kanë hequr logon “Rilindje” të PS të vendosur në godinën e kësaj partie.
Kryetari i degës së PS, Kastriot Gurra pretendon se një akt i tillë është kryer nga vetë deputeti i PD, Rrahim Çota.
“Ditën e djeshme jemi vënë në dijeni nga kryetari i bashkisë për një urdhër për të hequr një baner që kishte stemën e Rilindjes. Ndërkohë, komisari i qytetit tonë ka kërcënuar se do ta hiqte me dhunë dhe përmes deputetit Çota është bërë e mundur heqja e banerit”, ka treguar Gurra.
Ndërkohë, një tjetër incident është shënuar në qytetin e Cërrikut, ku një person është futur me dhunë në ambientet e selisë elektorale të PS dhe ka djegur disa dosje pune.
“Ne themi me bindje të plotë se më 23 qershor qytetarët e Cërrikut do të ndëshkojnë përgjegjësit me votën e tyre”, ka thënë Tomorr Zaimaj, kryetar i degës së PS në Cërrik.
Policia pasi ka marrë denoncimin ka shoqëruar shtetasin Klement Curra, por vetëm pas pak minutash e ka lënë atë të lirë. Sipas policisë, incidenti në fjalë ka ndodhur për motive të dobta për shkak të një konflikti mes palëve dhe jo për shkaqe politike.
Policia pretendon se PS e Cërrikut ka vënë në përdorim të saj si seli elektorale një godinë pa asnjë akt marrëveshjeje dhe pa kontratë qeraje.
Top Channel