
Nga Berati ku PS zhvilloi konferencën rajonale për programin për Një Rilindje Shqiptare, Edi Rama duke komentuar raportin e një dite më parë të Departamentit amerikan të Shtetit, tha se ai është pasqyrimi në sytë e botës të një Shqipërie të turpëruar për shkak të një pushteti të korruptuar.
Pavarësisht se kryeministri Berisha, tha Rama, krenohet me mijëra kilometra rrugë të ndërtuara, qytetarët e Beratit dhe mbarë Shqipërisë janë dëshmitarë të një tjetër realiteti.
“Kemi bërë 10 mijë e 400 km rrugë, që do të thotë se kemi shtruar 33 herë Shqipërinë me asfalt nga veriu në jug dhe jugu në veri. Po si ka mundësi që në këto 33 herë nuk ka rënë një herë këtu nga Lushnja në Berat, njëherë nga Fieri në Vlorë, nga Lezha në Dibër, nga Tepelena në Gjirokastër?”, deklaroi Rama.
Një pjesë të gjatë të fjalës së tij Rama ia adresoi mbështetësve të PD të cilëve u tha se, “jo vetëm socialistët por edhe demokratët duhet të çohen të revoltuar më 23 qershor duke votuar kundër Berishës”. Për çfarë u duhet demokratëve të Beratit partia-familje e Sali Berishës? – tha Rama.
“Si ka mundësi që partia të cilës i kanë dhënë votën 20 e kusur vjet nuk u ka kthyer mundësinë të hyjnë e të dalin nga Berati si qytetarë të këtij shekulli? Si ka mundësi të mos kuptojnë që ky qark mban mallkimin e të qënit me zemrën majtas?”, u shpreh Rama.
E ndërsa kryeministri, tha Rama, citon thëniet e profetit Muhamed për shenjtësinë e pronës, përse ai nuk i zbaton ato? Berishën do ta lëmë të merret me Zotin, shtoi Rama, pasi atë nuk e shpëton asgjë nga ndëshkimi popullor i 23 qershorit.
“Sot jemi plotësisht të vetëdijshëm, por më të vetëdijshëm duhet të jenë demokratët, ata që i thonë vetes së djathtë, që janë lidhur me PD sepse bësojnë në disa gjëra që ne na ndajnë. Më 23 qershor do të japim ndëshkimin e merituar, ndëshkimin popullor që do t’i hapë rrugën dy rilindjeve: asaj shqiptare të madhe dhe rilindjes së vogël të PD pa ty”, tha Rama duke iu drejtuar Berishës.
Top Channel