Kryetari i Komunitetit Myslyman Shqiptar, Selim Muça, Kryeministri Sali
Berisha dhe kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha kanë nënshkruar me 20
prill, ditën që myslymanët përkujtojnë ditëlindjen e profetit Muhamed,
marrëveshjen për ndërtimin e Xhamisë së re të Tiranës, e cila do të jetë
më e madhja në vend.
“Namazgjaja, ku ne jemi sot është shprehje e shpirtit të madh e bujar dhe e sakrificës të atyre besimtarëve myslymanë, që dhanë për fenë dhe popullin, përkushtimin, pasurinë dhe gjithcka. E lus Zotin të na lehtësojë punën tonë në gjithë proceset e ndërtimit të Xhamisë së Madhe”, tha Selim Muca.
“Kjo ngjarje është e madhe sepse sot ne ndahemi nga qëndrime paragjykuese, nga qëndrime të frymëzuara kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslymanë të qytetit të Tiranës”, tha Berisha.
“Tirana është modeli i bashkëjetesës fetare, model, i cili është rrezatuar ndër shekuj dhe rrezaton edhe sot. Në këtë të shënuar, në këtë ditë të lindjes së profetit Muhamed ne nisim ndërtimin e kësaj vepre madhore, xhamisë së madhe të qytetit, duke kompletuar mozaikun e objekteve të rëndësishme të kultit në kryeqytetin e shqiptarëve”, tha Basha.
Sipas projektit të ideuar nga një arkitekt turk, Xhamia e Namazgjasë në të cilët mund të kryejnë ritet fetare njëkohësisht 5 mijë besimtarë myslymanë do të jetë e lartë 35 metra, do të ketë 4 minare.
Përveç se një vend adhurimi për Zotin, xhamia e re do të jetë një kompleks shumëfuksional pasi në të do të ketë biblioteka, klasa, salla seminaresh dhe vende argëtmi për fëmijë të moshave të ndryshme.
Kostoja e saj shumë e lartë nuk i ka trembur drejtuesit e KMSH-së të cilët shprehen të kënaqur për gadishmërinë e shqiptarëe pa dallim feje për të qenë pjesë e këtij projekti.
Top Channel