Opozita jo vetëm që nuk ka ndërmend që t’i bojkotojë zgjedhjet, por përkundrazi kërkon t’i afrojë ato. Kështu deklaroi në qytetin e Lezhës, kryetari i LSI, Ilir Meta.

Ai u takua me strukturat lokale të partisë që drejton, takim që shënoi edhe hapjen e fushatës elektorale.

“Opozita jo vetëm që nuk ka ndërmend të bojkotojë zgjedhjet, ta harrojë Berisha i pari dhe pastaj të tjerët, jo vetëm që nuk kërkon të shtyjë zgjedhjet, por përkundrazi kërkon t’i afrojë ato”, deklaroi Meta.

Meta komentoi edhe koalicionin e ri opozitar mes Partise Socialiste dhe LSI-së, e cila sipas tij nuk është kundër kryeministrit Berisha, por në favor të qytetarëve.

“Nuk është një koalicion me PS-në kundër PD-së, është një koalicion për ndryshimin e Shqipërisë. Është një koalicion edhe për t’i hapur rrugën ndryshimeve në PD. Sepse për fat të keq, pavarësisht nga përpjekjet tona aktive e konstruktive, gjatë këtyre katër viteve bashkëpunimi dhe bashkëqeverisjeje me PD-në rezultoi se ishte kthyer në një problem shqetësues përqendrimi i pushteteve dhe i drejtimit të shumë institucioneve nga kjo forcë politike. Më 23 qershor Shqipëria nuk do të jetë kaq e ndarë sa është sot dhe ne duam që pas kësaj date shqiptarët të mos ndihen kaq të përçarë si sot”, theksoi Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA