Itali, Napolitano rizgjidhet president

20/04/2013 00:00

Giorgio Napolitano është rizgjedhur në krye të shtetit të Italisë. Sipas agjencive italiane të lajmeve, zoti Napolitano ka siguruar 738 vota duke kaluar kuorumin prej 504 dhe është përshëndetur me ovacione në sallën e Parlamentit.

Kundër Napolitanos kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes 5 Yjet, lideri i të cilëve, blogeri Beppe Grillo e ka cilësuar votimin si grusht shteti.

Napolitano, 87 vjeç, është i pari president i Italisë që zgjidhet për të dytën herë rresht. Emri i tij u lakua në raundin e gjashtë të votimit për zgjedhjen e kreut të shtetit, me mbështetjen e partive PD, PDL, Zgjedhja Civile dhe Lega Nord.

Kreu i shtetit kishte thënë disa herë se nuk dëshironte të përballej me një mandat tjetër, por rrjedha e ngjarjeve të ditëve të fundit, konkretisht dështimi i dy opsioneve që çuan PD-në të propozonte Franco Marini-n dhe Romano Prodi-n, shtynë Napolitanon të ndërronte mendje.

Kështu, pas një serie bisedimesh të zhvilluara gjatë ditës me liderë të ndryshëm politikë, ai tha: “Jam i gatshëm, nuk mund të dorëzohem. Por tani duhet të marrim së bashku përsipër të gjitha përgjegjësitë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA