Një operacion madhor policor është duke u zhvilluar në Boston, me qëllim arrestimin e një prej të dyshuarve si autor i vendosjes së bombave gjatë maratonës, ndërsa i vëllai, njëkohësisht bashkëpunëtori i tij humbi jetën në orët e para të mëngjesit në një shkëmbim zjarri me policinë.
Në shkëmbimin e zjarrit, të ndodhur në një lokalitet rreth 10 kilometra nga Bostoni, një efektiv i policisë gjithashtu humbi jetën.
Sipas “BBC”, agjentët e FBI-së dhe policisë së Bostonit janë aktualisht duke realizuar një prej operacioneve më të mëdha të kërkimit në historinë e vendit, ndërsa guvernatori i Masacusetsit u bëri thirrje qytetarëve të qendrojnë mbyllur deri në përfundim të operacionit policor.
Burime policore konfirmuan për mediat se dy të dyshuarit ishin dy shtetas rusë nga Çeçenia, të cilët jetonin në SHBA që prej një viti, të identifikuar si Dzhokhar e Tamerlan Tsarnaev.
Pasi u identifikuan nga kamerat e sigurisë në rrugën ku ndodhi shpërthimi, të dy shtetasit u gjurmuan dhe u vunë në ndjekje gjatë së enjtes.
Për të shpëtuar, ata rrëmbyen një makinë nën kërcënimin e armëve. Drejtuesi i mjetit u la më pas i lirë, ndërsa njëri prej të dyshuarve mbeti i vrarë në përballjen me policinë.
Vellai i dytë, ai që imazhet e ditës së shpërthimit shfaqet me një kapele të bardhë në kokë, është në ndjekje pasi mundi të ndahej nga bashkëpunëtori, përpara se ai të binte në pritën e policisë.
Aktualisht, aksioni policor është në zhvillim, me forca te shumta policore qe kane rrethuar qytetin e Uatertaunit, ku ndodhi shkembimi i zjarrit ne oret e para te dites dhe ku besohet se eshte fshehur i dyshuari.
Dy shperthime te dy bombave artizanale ne maratonen e Bostonit i moren jeten 3 personave dhe lane te plagosur 180 te tjere.
FBI publikon fotot, videon e të dyshuarve
FBI ka bërë publike gjatë së enjtes fotot dhe videon e dy personave të dyshuar mbi ngjarjen e ndodhur në Maratonën e Bostonit, duke kërkuar ndihmën e publikut për identifikimin e tyre.
Dy meshkujt janë fotografuar duke ecur së bashku, pranë vijës së finish-it të maratonës, përpara shpërthimeve që vranë 3 persona dhe plagosën rreth 180 të tjerë.
Një prej dy personave të dyshuar është parë të lëshojë një cantë shpine në vendin e shpërthimit të bombës së dytë, “vetëm pak minuta” para shpërthimit, tha agjenti special Rick DesLauriers, kreu i zyrës së FBI-së në Boston.
“Dikush në këtë vend i njeh këta individë, ndoshta si shokë, fqinj, bashkëpunëtorë apo anëtarët e familjes së të dyshuarve”, tha DesLauriers. “Edhe pse mund të jetë e vështirë, kombi ynë kërkon mbështetjen e atyre që zotërojnë informacione, për të na i dhënë neve”.
Por, ai paralajmëroi se të dyshuarit duhet të konsiderohen si individë të armatosur dhe “ekstremisht të rrezikshëm”. “Askush nuk duhet t’u afrohet atyre. Askush nuk duhet të përpiqet t’i kapë ata, me përjashtim të zbatuesve të ligjit”, tha ai.
Njoftimi vjen në fund të një dite, gjatë së cilës presidenti Barack Obama solli një përzierje ndjenjash sigurie, inkurajimi dhe sfide në shërbimin përkujtimor ndërfetar në Katedralen e Kryqit të Shenjtë të qytetit.
Kushdo që i vendosi bombat, “zgjodhi qytetin e gabuar” për të sulmuar, tha ai.
“Secili nga ne qëndron në krahun tuaj”, tha Obama përpara turmës. “Boston mund të jetë vendlindja juaj, por edhe ne e pretendojmë dicka të tillë. Për miliona prej nesh, ajo që ndodhi të hënën është dicka personale”.
Duke iu adresuar autorëve ende të panjohur, Obama shtoi: “Po, ne do t’iu gjejmë. Po, ju do të përballeni me drejtësinë. Ne do të bëjmë që ju të mbani përgjegjësi”.
Ai hodhi më pas vështrimin drejt garës së vitit të ardhshëm, duke parashikuar se “bota do të rikthehet në këtë qytet të madh amerikan, për të vrapuar edhe më fuqishëm dhe për t’u mbushur akoma me më shumë gëzim për Maratonën e 118-të të Bostonit. Bëhuni pjesë e saj”.
Top Channel