Berisha: Zgjedhjet nuk do shtyhen

19/04/2013 00:00

Nga jugu i vendit, ku po bën fushatë në Gjirokastër dhe Përmet, kryeministri Sali Berisha i ka diverisifikuar mesazhet elektorale, që nga studentët dhe të rinjtë, deri tek të papunët dhe biznesi, duke premtuar përkushtim në realizimin e premtimeve për rritje të të ardhurave dhe të punësimit.

Por pjesë e këtyre mesazheve elektorale, është bërë edhe situata politike e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.  gjatë inaugurimit të nisjes së ndërtimit të një rruge të re në komunen Picar të Gjirokastrës, për herë të parë, kryeministri Berisha nuk bëri asnjë apel, qoftë edhe formal për opozitën, për plotësimin e vendeve të mbetura bosh në KQZ, pasi sipas tij qëllimi i kreut të socialistëve, pas aleancës me LSI-në,  është shtyrja e zgjedhjeve.

“Burrat janë për fushë-betejë, nuk janë për të kapitulluar. Beteja elektorale duhet të shkojë deri në fund. Nuk ua mban! Tërhoqën komisionerët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kurrë mos i ktheni, po të doni! Zgjedhjet shqiptarët do t’i bëjnë të lira dhe të ndershme. Je i pashpresë, zoti Rama! U bashkuan, e panë që u zvogëluan dhe tani shohin karriken e amshuar me dylbi. U largohet çdo ditë e më shumë. I tërhoqi komisionerët dhe po bëhej gati. A mund ta imagjinoni ju, të kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve?! I çova fjalë: asnjë sekondë! Po të duash që tani deklaro se nuk do të marrë pjesë, se në mënyrë absolute qoftë edhe një sekondë nuk shtyhen zgjedhjet. Ai është një njeri që do të prishë çdo proces normal të këtij vendi. Por edhe ky vend, kam bindjen më të madhe, siç besoj tek Zoti,  siç besoj tek Shqipëria, do t’i japë atij atë që meriton më 23 qershor”, deklaroi kryeministri Berisha.

Po kaq i prerë kryeministri Berisha u tregua edhe gjatë një takimi tjetër, kur u përuruar argjinatura mbrojtëse e lumit Drino, pasi sipas tij, axhenda e tij me atë të Edi Ramës është krejtësisht e kundërt.

“Dje deklaronte brenda selisë mavi se komisionerët nuk i kthej, sepse nuk do të njoh zgjedhjet, po nuk fitova. Përgjigja ime – kurrë mos i njih! Mua nuk më shqetëson se qendron ai në krye të partisë mavi apo të partisë tjetër. Ato janë jashtë axhendës time. Axhenda ime janë qytetarët, janë këta burra dhe gra që kërkojnë rrugë, kërkojnë ujë, kërkojnë qendra shëndetësore, kërkojnë shkolla, kërkojnë energji elektrike, kërkojnë punë për vete dhe për fëmijët e tyre. Kjo është axhenda ime. Axhenda ime nuk mund të jenë kurrë marrëzitë e pafund të Edi Ramës. Ato le t’i mbajë për vete!”, u shpreh Berisha.

Top Channel