
Deputeti socialist Erjon Braçe i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla të nisë hetimet për thyerjen e embargos së armëve në Libi nga autoritetet shqiptare.
Deputeti i opozitës i drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm me këtë kërkesë për hapjen e hetimeve, ku i bashkëlidh edhe raportin e Panelit të Ekspertëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë çështje.
Sic do ta vini re, i drejtohet në këtë kërkesë deputeti socialist Prokurorit të Përgjithshëm, në këtë raport Shqipëria zë një vend të rëndësishëm, e përfshirë në trafikim të armëve dhe municioneve në thyerje të qartë të embargos së armëve vendosur nga OKB për Libinë.
Duke i vënë në dijeni brendësinë e raportit të ekspertëve të OKB-së, Braçe nënvizon rezultatin e këtij hetimi ku u zbulua se ndërmarja shtetërore e import-eksportit të mallrave ushtarakë në Ministrinë e Brendshme, MEICO, si dhe zyrtarë të aviacionit civil në Shqipëri thyen embargon duke dërguar armë në Libi.
“Paneli i Ekspertëve ka mbledhur fakte, prova dhe dëshmi që provojnë katërcipërisht së autoritet shqiptare kanë thyer ligjet ndërkombëtare duke tregtuar armë dhe municione në vende nën embargon e OKB-së”, i shkruan Braçe numrit një të akuzës.
Autoritetet shqiptare e kanë pohuar këtë fakt duke e cilësuar gabim njerëzor, ndërsa vetëm pak ditë më parë Ministria e Mbrojtjes pohoi se i ka dërguar armët me vëtëdije të plotë në Libi më qëllim furnizimin e rebelëve atje.
Duke i renditur këto fakte dhe duke e konsideruar një ngjarje shumë të rëndë për një qeveri, Erjon Braçe i drejtohet Llallës me kërkesën:
“Ju kërkoj që të analizoni, të vlërësoni të gjitha faktet dhe provat që sjell ky raport me qëllim nisjen e një hetimi gjithëpërfshirës ndaj institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjes për këtë krim të rëndë”.
Top Channel