Anëtarët e PD, kalojnë tek PS

19/04/2013 00:00

Vijon hemoragjia e mbështetësve të PD, të cilët kanë preferuar t’i
bashkohen alternativës së majtë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama
është takuar me një grup prej 200 ish-mbështetësish të së djathtës, në
qytetin e Burrelit, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë dhe zhgënjimin e
tyre për mënyrën e qeverisjes së vendit nga demokratët.

Këtë veprim të tyre, jo thjesht për faktin se ata i bashkohen PS, Edi Rama e vlerësoi si hap emancipues, pasi sipas tij njerëzit s’duhet ta konsiderojnë politikën si tifozllëk partiak.

“Shqipëria ka nevojë për më pak tifozllëk për partitë dhe për më shumë qytetarë, që kudo ku banojnë, votën e tyre nuk e lidhin me besnikërinë e verbër ndaj partisë, por e lidhin me nevojën për të ndryshuar jetën e tyre. Përgjegjësi më i madh për këtë përçarje të madhe mes shqiptarëve është kryetari i Partisë Demokratike, i cili të gjithë instrumentat e luftës së klasave, e luftës me armikun e brendshëm i mori dhe i vuri në përdorim në kohën e demokracisë, duke e kthyer Partinë Demokratike nga një parti e shpresës së madhe në një parti familjare, që sot nuk ofron asgjë tjetër përveç gënjështrave dhe ndasisë. Bëni një hap që është vërtetë, hapi i një rilindjeje, jo në kuptimin e votës së 23 qershor për PS-në, por në kuptimin e kapërcimit të kufirit që mban njerëzit ndarë,ne emër të partisë”, tha Rama.

Top Channel