Shefja e FMN-së, në gjyq për abuzim me pushtetin

18/04/2013 15:45

Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, do të paraqitet përpara një gjykate franceze për t’u përballur me akuzat e abuzimit me pushtetin gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Financave.

Lajmi u konfirmua të enjten nga avokati i saj mbrojtës, i cili saktësoi se procesi do të nisë me një seancë dëgjimore në muajin maj.

Më parë gjatë prillit, policia franceze kontrolloi apartamentin e saj në Paris, në kuadrin e një hetimi lidhur me rolin e zonjës Lagarde në një marrëveshje të debatueshme arbitrazhi, që përfundoi në favor të një biznesmeni të pasur francez.

Hetimet e prokurorisë përqendrohen mbi rolin e drejtueses së Fondit Monetar Ndërkombëtar në kompensimin e biznesmenit Bernard Tapie në 2008-tën.

Lagarde, asokohe ministre e Financave, ia kaloi për shqyrtim një paneli arbitrazhi çështjen e tejzgjatur të mosmarrëveshjeve të biznesmenit me bankën “Credit Lyonnais” dhe Tapie përfitoi një dëmshpërblim prej 400 milionë eurosh.

Biznesmeni ishte simpatizant i ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy dhe hetuesit dyshojnë se marrëveshja në favor të tij ishte një lloj shpërblimi për mbështetjen e dhënë ish-kreut të Elizesë në zgjedhjet e 2007-tës.

Tapie e kishte paditur “Credit Lyonnais” për mënyrën se si menaxhoi në 1993-shin shitjen e një pjese të aksioneve të firmës së veshjeve sportive “Adidas”, ku ai ishte aksioner kryesor.

Nga ana e saj, Lagarde mohon të gjithë akuzat dhe spekulimet se si rrjedhojë e kësaj çështje, mund të jetë e detyruar që të japë dorëheqjen nga funksioni i saj aktual.

Kryetarja e FMN-së gëzon në këtë përballje me drejtësinë të gjithë mbështetjen e institucionit që ajo drejton, i cili në muajin mars publikoi një deklaratë përkrahje, firmosur nga të gjithë anëtarët e bordit ekzekutiv.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA