Një plan bipartizan për të zgjeruar kontrollin e background-it të blerësve të armëve ka dështuar në Senatin amerikan, një goditje e rëndë kundër kontrollit të armëve.
Plani u bllokua pas votimit 54-46, vetëm 6 vota më pak nga kufiri prej 60 të tillave, të nevojshme për ta kaluar atë.
Propozimi, i cili u hodh në votim si një amendament i faturës së gjerë mbi armët, synonte të zgjeronte kontrollet aktuale edhe për shitjet online të armëve dhe dyqanet e ekspozimit të tyre.
Votimi konsiderohet si një fitore e madhe nga grupet, që mbrojnë të drejtën e armatimit, të cilët thoshin se kontrollet do të shkelnin të drejtën për të mbajtur armë.
Sistemi i zgjeruar i kontrollit të background-it, i cili ka qenë pjesa
kryesore e axhendës së presidentit, u bllokua nga Senati me mazhorancë
republikane, por edhe nga disa demokratë.
Obama “shpërthen” ndaj senatorëve: T’ju vijë turp!
Presidenti amerikan Barack Obama ka kritikuar ashpër senatorët që bllokuan planin bipartizan për të shtuar kontrollin mbi armët e zjarrit.
“Kjo ishte një ditë shumë e turpshme për Uashingtonin. Por përpjekjet tona nuk mbarojnë me kaq”, ka deklaruar Obama nga Shtëpia e Bardhë.
Në një deklaratë për mediat, në praninë edhe të një familjeje që humbi një fëmijë në masakrën e shkollës në Njutaun, Obama ka bërë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve.
“Nëse Kongresi refuzon të dëgjojë qytetarët amerikanë, atëherë impakti i vërtetë do të duhet të vijë nga votuesit”, ka thënë Obama, duke shtuar se ata që votuan kundër janë udhëhequr vetëm nga interesa politike.
“Shumica e atyre senatorëve nuk mundën të ofronin një arsye të mirë përse ne nuk duhet t’i ashpërsojmë ligjet për kontrollin e armëve në dëm të kriminelëve dhe të sëmurëve mendorë”, ka thënë Obama.
Presidenti amerikan ka zhvilluar një fushatë të fortë për përforcimin e ligjeve mbi armët, pas vdekjes së 26 personave në masakrën e Konektikatit, në shkollën fillore “Sandy Hook”, gjatë dhjetorit.
Planet për një pezullim të armëve sulmuese dhe atyre të kapacitetit të lartë ishin hequr nga fatura për kontrollin, për shkak të mungesës së mbështetjes politike.
Top Channel