Pas qeverisë, Italia nuk zgjedh dot as presidentin

18/04/2013 20:20

Deputetët dhe senatorët italianë nuk mundën të zgjidhnin një president të ri, pas tre raundeve të votimit të mbajtur të enjten në Parlament.

Tashmë, votimet për presidentin do të zgjaten deri në arritjen e një marrëveshje me dy të tretat, që është edhe skenari më i padëshiruar për Italinë që drejtohet nga një qeveri e përkohshme, sepse pas zgjedhjeve të muajit shkurt, ende nuk është arritur një marrëveshje për një koalicion qeveritar.

Presidenti Giorgio Napolitano, 87-vjeçar, përfundoi mandatin e tij 7-vjeçar dhe do të tërhiqet nga politika.

Sipas mediave italiane, favoriti kryesor ishte ish-kryetari i Senatit, Franco Marini, i mbështetur edhe nga Partia Demokratike e Bersanit, por në të tre raundet, ndonëse grumbulloi më shumë se gjysmën e votave, mbeti në çdo rast 140-150 vota larg arritjes së kuotës së 672 votave, që duhen për të zgjedhur presidentin.

Stefano Rodota, kandidati i partisë “Cinque Stelle” të komedianit Grillo u rendit i dyti, me 240 vota.

Në Itali, roli i Presidentit është gjerësisht ceremonial, por në krizën politike që ka mbërthyer vendin, figura e kreut të shtetit ka marrë një vlerë të shtuar dhe pritet që të ndërmjetësojë në zgjidhjen e ngërçit politik ose në të kundërt, të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Midis kandidatëve të tjerë për president, përfshihen edhe dy ish-kryeministrat Giuliano Amato dhe Massimo D’Alema.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA