Shtatë anëtarë të dyshuar të al-Kaedës u arrestuan në Abu Dhabi ndërsa synonin të realizonin sulme brenda Emirateve të Bashkuara Arabe, lajmëruan të enjten burimet zyrtare të vendit të Gjirit Persik.
Sipas policisë, grupi synonte të godiste disa objektiva strategjikë brenda EBA-s, me synim që të ngjallte panik midis popullisë.
Një burim që nuk deshi të identifikohej tha për “BBC” se të dyshuarit ishin të përfshirë edhe në aktivitetin e rektrutimit të militantëve, propagandimit të al-Kaedës dhe të sigurimit të mbështetjes logjistike për organizatën terroriste.
Të shtatë të arrestuarit besohet se janë shtetas arabosauditë.
Arrestimet vijnë pak kohë pasi në Emiratet e Bashkuara Arabe nisi një gjyq i bujshëm me 94 të pandehur, të akuzuar se synonin të organizonin një grusht shteti, me qëllim instalimin e një qeverie ekstremiste fetare në krye të vendit me shumicë dërrmuese muslimano-sunite.
Top Channel