
Kryeministri Berisha ishte pasditen e së enjtes në komunën Kozare të rrethit të Kuçovës ku preu shiritin e inagurimit të rrugës që lidh këtë komunë me qytetin. Rruga e re u realizua me një investim prej 163 milionë lekësh dhe është 3.82 km e gjatë, lidh qendrën e Komunës Kozare, me qytetin e Kuçovës.
Kjo rrugë është financuar nga qeveria Shqiptare, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve. Së bashku me dy rrugët e tjera Grekan– Vlashuk 13.5 km dhe Kozare-Fiershegan 18.1 km, punimet e të cilave janë në zbatim, kjo zonë merr një rëndësi të madhe duke u bërë një pikë ku kryqëzohen rrugët që lidhin qarkun e Beratit me atë të Fierit dhe Elbasanit.
Në fjalën e tij me banorët e zonës kryeministri Berisha u shpreh se në këto vite kjo qeveri ka investuar në këtë qark për 500 km rrugë, ndërkohë që tha se do të ndërtojë cdo kilometër rrugë.
Duke bërë një rezyme të investimeve të kësaj qeverie të viteve të fundit qeveria ka investuar për 83 shkolla, 31 ujësjellësa, 46 qendra shëndetsore, kemi subvencionuar 2.600 hektarë në ullishte, pemëtari, etj. Berisha gjithashtu premtoi subvencionimin e akcizës së naftës, heqjen e TVSH-së për plehrat kimik.
Duke vijuar fjalën e tij kreu i qeverisë u shpreh se “ne do të vazhdojmë për të bërë fshatrat dhe komunat, do t’i lemë ata të merren me ngjalat e Nard Kokës që t’i ngecin në grykë. Ne do t’i lemë ata në aleancat e ngjalave dhe do të punojmë për të shndërruar në vepra premtimet tona”.
Nuk kanë qenë vetëm banorë të komunës Kozare, por dhe dhjetra autobusë me mësues të marrë nga Drejtoria Arsimore në këtë përurim. Ndërsa rrugët nacionale janë ato që kryeministri i anashkaloi pasi janë në gjendje të mjerueshme.
Top Channel