Protesta në ditën e varrimit të Thatcher

17/04/2013 00:00

Dhjetra britanikë u mblodhën në afërsi të Katedrales Saint Paul në Londër pas thirrjeve nëpër rrjetet sociale për të protestuar kundër shpenzimeve disa milionë paund për funeralin e Margaret Thatcher.

Megjithëse ish-kryeministrja britanike gëzon respektin dhe mbështetjen e pjesës dërrmuese të britanikëve, ajo sërish mbetet një figurë kontradiktore e kritikuar për politikat e saj ndaj klasës puntore, luftën në ishujt Falkland e sidomos për qendrimin e ashpër të mbajtur gjatë protestave të minatorëve në vitet e qeverisjes së saj.

Kundërshtarët e Thatcher u mblodhën në distancë të largët nga katedralja ku nisi ceremonia për përcjelljen për në banesën e fundit të Thatcher. Ata mbanin në duar pankarta kundër ish-kryeministres, e vetmja femër në historinë e Britanisë së Madhe që ka mbajtur këtë post ndonjëherë.

“Pushofsh në turp!”, (Rest in shame) dhe “Jam këtu për të protestuar për ata njerëz që ajo vrau me politikat dhe luftën e saj”, ishin disa nga pankartat e ngritura nga protestuesit në kryeqytetin anglez.

David Winslow, një student 22-vjeçar thotë se ishin mbledhur për të protestuar në mënyrë dinjitoze kundër shpenzimeve marramendëse të qeverisë për funeralin e Thatcher, sidomos tani në një kohë krize, kur po ulen pagat dhe përfitimet e njerëzve në nevojë.

“Ne dëshirojmë të mbajmë një protestë dinjitoze. Thirrjet Ding-dong, Shtriga vdiq, janë kundër-produktive dhe nuk ndihmojnë këtu. Të shpenzosh 10 mln paund për një figurë kaq kontraverse, në kohë krize financiare, është e gabuar”, thotë ai.

Për të treguar ndasinë e madhe që ofron figura e Margaret Thatcher në publikun britanik mjafton të përmendet fakti që dhjetra persona u mblodhën në orët e natës me batanije e jorganë në afërsi të katedrales Saint Paul për të marrë pjesë në nderimet për ish-kryeministren.

Thatcher udhëhoqi Britaninë e Madhe nga viti 1979 deri në vitin 1990. Ajo aplikoi politika konservatore ekonomike dhe i njihet merita për nxjerrjen e vendit nga kriza. Në vitin 1982 mori guximin të fuste vendin në luftë me Argjentinën për sovranitetin e ishujve Falkland. Ky vendim dhe qendrimet e tjera këmbëngulëse të saj në politikë bënë që të quhej “Zonja e Hekurt”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA