Obama: Korea e Veriut nuk ka raketa

17/04/2013 15:50

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, nuk beson se Korea e Veriut është në gjendje që të godasë me raketa bërthamore apo balistike, duke ngritur dyshime mbi vërtetësinë e një raporti shqetësues të publikuar një javë më parë nga një kongresmen.

Në një intervistë për “NBC”, ndërsa theksoi se forca e Koresë së Veriut po ekzagjerohet, Obama tha se kërcënimet e Penianit ndaj SHBA-së dhe Koresë së Jugut po shërbejnë vetëm për të izoluar edhe më shumë regjimin e vendit komunist.

”Bazuar në vlerësimet dhe informacionet e inteligjencës sonë, nuk besojmë se Korea e Veriut ka kapacitetin për të montuar mbushje bërthamore në raketat e saj dhe në dyshim është edhe aftësia e saj për të goditur me raketa balistike”, deklaroi Obama.

”Pavarësisht vlerësimit tonë mbi rrezikon që kanoset, në çdo rast kemi marrë masat dhe jemi përgatitur për çdo të papritur. Kjo është arsyeja përse kemi ripozicionuar sistemet raketore të mbrojtjes, në bazat tonë në Azi”, shtoi ai.

Në lidhje me sjelljen e diktatorit Kim Jong-un, Obama theksoi se ato janë të dëshme, mbi të gjitha për vendin e tij. “Një qëndrim të tillë ka mbajtur edhe babai apo gjyshi i tij, prandaj sjellja provokuese dhe e pamatur e Koresë së Veriut nuk është diçka e re. Megjithatë, një retorikë e tillë është shumë e dëmshme, mbi të gjitha për këtë vend”.

Megjithatë, presidenti i SHBA-ve refuzoi që të analizonte profilin psikologjik të Jong-un, i pyetur për qëndrueshmërinë e tij mendore. “Nuk jam një psikiatër dhe nuk e njoh liderin e Koresë së Veriut”, tha Obama.

Vlerësimet e presidentit të SHBA-ve bien në kundërshtim me deklareten e një kongresmeni, i cili duke cituar një studim të Agjensisë Amerikane Inteligjente të Mbrojtjes, tha në Kongres se tashmë Peniani është në gjendje të shndërrojë kërcënimet e tij në realitet.


Aktualisht, tensioni në Kore ndodhet në një spirale të rrezikshme përshkallëzimi, pasi Korea e Veriut ka kërcënuar me “shfarrosje bërthamore” fqinjët jugorë dhe SHBA-në, pas shpalljes së disa sanksioneve të rënda ndërkombëtare, për shkak të shkeljes së konventave që pengojnë testimet bërthamore apo lëshimin e satelitëve me anë të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA