Partitë e djathta europiane kanë mbështetur kryeministrin Sali Berisha në vendimin për shkarkimin e anëtarit të LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ndërsa trupa diplomatike në Tiranë u deklarua kundër prekjes se KQZ-së, Partitë Popullore Europiane kanë publikuar një deklaratë ku e quajnë të drejtë balancimin e institucionit më të lartë zgjedhor.
Presidenti i PPE-ve, Wilfried Martens thotë në një deklaratë, se largimi i LSI nga qeveria duhej të reflektohej edhe në KQZ.
“Çdo përpjekje për të modifikuar formulën e dakortësuar, katër anëtarë nga mazhoranca dhe tre nga opozita, është një përpjekje për të destabilizuar të gjithë sistemin zgjedhor vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve”, thotë Martens në këtë deklaratë.
Ai shton se, “në këto rrethana dorëheqja e anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste në KQZ është e papranueshme”.
“Theksojmë se PPE mbështesin kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike dhe besojmë se zgjedhjet e 23 qershorit do të shënojnë një hap vendimtar të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian”, mbyll deklaratën Wilfried Martens.
Top Channel