Paniku nga një lloj i ri gripi të shpendëve vazhdon të rritet në Kinë, ku virusi “H7N9” i ka marrë jetën deri tani 16 personave dhe ka infektuar disa dhjetëra të tjerë.
Megjithatë, më shumë se sa nga vetë përhapja e sëmundjes, doktorët janë vendosur në alarm nga zbulimi i një 4-vjeçari, i cili ndonëse i infektuar, nuk shfaqte asnjë shenjë të sëmundjes.
Siç raportoi të mërkurën “CNN”, fenomeni i mbartësve të virusit nuk është njohur deri tani dhe ky mund të jetë një zhvillim shumë i rrezikshëm, pasi aftësia e një njeriu për të infektuar një njeri tjetër është shumë herë më e madhe se sa ajo e shpendëve.
”Përpara se të flasim për rrezikshmërinë e këtij virusi, duhet përcaktuar nëse ai mund të transmetohet midis njerëzve”, deklaroi doktori Leo Poon Li, i një universiteti mjekësor në Hong Kong për “CNN”.
”Për momentin, nuk e njohim spektrin e plotë dhe ndërlikimet klinike që paraqet ky virus tek pacientët. Në fillim, “H7N9” është zbuluar vetëm se si rrjedhojë e disa rasteve të rënda, disa persona ndërruan jetë në një kohë të shkurtër dhe kjo shtyu autoritetet të nisnin hetimet. Megjithatë, për momentin, nuk mund të vlerësohet shkalla e plotë e rrezikshmërisë së këtij virusi”.
Top Channel