Autoritetet irakiane kanë ndëshkuar me vdekje 21 persona, pasi ishin akuzuar për terrorizëm, ka raportuar Ministria e Drejtësisë gjatë së martës.
Sipas saj, të ekzekutuarit ishin përfshirë në pengmarrje, vrasje, shpërthime bombash dhe vrasjen e zyrtarëve të sigurisë dhe civilëve.
Disa prej tyre i kanë kryer sulmet me anë të shpërthimit të bombave, vënien e eksplozivëve në makina apo motoçikleta.
“Amnesty International” deklaroi se dënimi me vdekje ishte pezulluar pas invazionit të 2003, por u rikthye me shpejtësi nga qeveria e parë irakiane.
Ekzekutimet u rikthyen në vitin 2005, e prej atëherë të paktën 447 të burgosur janë varur, përfshi këtu Saddam Hussein, disa prej aleatëve të tij kryesorë dhe disa anëtarë të akuzuar si pjesë e grupeve të armatosura.
Qindra të burgosur janë ende duke pritur radhën për t’u ekzekutuar. Vendi, ku vetëm gjatë 2012-s janë ekzekutuar 129 të burgosur, është tashmë një nga liderët botërorë sa i përket numrit të të ekzekutuarve, sipas “Amnesty International”.
Shtohet dhuna para zgjedhjeve
Kur kanë mbetur edhe 5 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve provinciale, sulmet janë shtuar së fundi. Politikanët janë të shqetësuar se dhuna mund të shkurajojë irakianët për të dalë e për të votuar.
Policia dhe zyrtarë të shëndetësisë në Kut thanë për CNN se 3 persona janë vrarë dhe 4 të tjerë janë plagosur, kur një autobombë shpërtheu në një pikë kontrolli sigurie në jug-lindje të Baghdad-it, gjatë së martës. Kjo zonë banohet kryesisht nga shiitë.
Në Tarmiya, në veri të kryeqytetit, një autobombë shpërtheu në një pikë patrullimi policore dhe vrau një kalimtar të rastit, duke plagosur edhe 5 persona të tjerë, përfshi 3 oficerë.
Vetëm gjatë bombardimeve të së hënës anembanë Irakut mbetën të vrarë të paktën 51 persona dhe mbi 266 të plagosur, kanë thënë zyrtarë të policisë së Baghdad-it për CNN.
Top Channel