Raportime kontradiktore vijnë për arrestimin e një të dyshuari, për sulmin me bomba në Boston të Massacchusetts, në Shtetet e Bashkuara.
Fillimisht, një zyrtar i tha CNN-it se zbulimi u bë, pas shqyrtimit të dy videove të filmuara nga kamerat e sigurisë së një dyqani, përballë vendit ku ndodhi shpërthimi i dytë.
I dyshuari kishte vendosur një çantë në afërsi të vijës së finish-it të garës. Më pas, hetuesit në Uashington dhe Boston mohuan të ishte kryer një arrestim. Ata, më herët, thanë se “është shënuar progres i rëndësishëm”.
Këto janë fotot e dërguara nga një spektator, që ndodhej në anën tjetër të rrugës, ndërsa vrapuesit po i afroheshin vijës së finish-it.
Ndoshta kjo mund të jetë bomba e dytë që shpërtheu, ndërsa zhvillohej një prej evenimenteve më të rëndësishëm të atletikës, Maratona e Bostonit.
Është një thes i vendosur pranë një kutie postare. Nga forma, duket se mban diçka të rëndë dhe me përmasat e një tenxhereje me presion. Fotografia u postua në faqen e internetit të “7 News” dhe më pas iu dërgua FBI-së, që po kryen hetimet për të hedhur dritë mbi ngjarjet.
Kjo mbetet një hipotezë, që duhet të verifikohet. Faqja e internetit të “7 News” tregon foton, e bërë pak përpara shpërthimit, dhe e krahason atë me një tjetër, që është bërë menjëherë pas tij.
Në fotografinë e dytë, thesi plastik nuk shihet më. Një burim pranë grupit të hetuesve i tha “Associated Press”, se bombat ishin vendosur në tenxhere me presion me një kapacitet prej 6 litrash.
Ato ishin mbushur me gozhda dhe zare kuzhinetash, të futur brenda thasëve plastikë të zinj dhe të vendosur në tokë. Mjekët, që po kurojnë të plagosurit, thonë se, në gjymtyrët e tyre apo në trup, janë gjetur pjesë metalike.
Presidenti amerikan, Barack Obama, do të qëndrojë të enjten në Boston. Ai, të martën, i cilësoi sulmet si akte terroriste.
Të paktën tre persona humbën jetën dhe mbi 170 të tjerë u plagosën. Viktimat janë 8-vjeçari Martin Richard, 29-vjeçarja Kristel Kembell, menaxhere e një restoranti, dhe viktima e tretë, Lingzu Lu, studente nga Kina.
Televizioni i Hong Kongut raportoi më herët se ajo ishte nga Sheniangu, në veri-lindje të Kinës.
Top Channel