Rama: Berisha në panik nga largimi

16/04/2013 00:00

Për kryesocialistin Edi Rama, aksioni i mazhorancës në Kuvend ndaj
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte fillimi i fundit për
Kryeministrin Sali Berisha, i cili siç tha edhe lideri i opozitës,
shpërfilli pozicionin e qartë të shprehur nga SHBA-të dhe BE-ja.

“Ishte një fotokopje e seancës së zgjedhjes president, në mars të vitit 1997, për nga hapësira tërësisht e izoluar, qoftë së brendshmi dhe qoftë së jashtmi në të cilën u zhvillua. Eshtë e qartë se Kryeministri në ikje, po e përjeton keq e më keq verën e një vetmie të madhe, ku ka mbetur pa asnjë aleat serioz, fillikat, si në vitin 1997, i rrethuar nga qorra dhe nga mercenarë, përballë një furie popullore që do t’i japë fund sundimit të tij me votën për një Rilindje Shqiptare në 23 qershor”, thotë Rama.

Sipas zotit Rama, Kryeministri ne panikun e largimit, e shkaterroi KQZ-së duke zgjedhur rrugen qe kerkon te njollose zgjedhjet e lira e te ndershme.

“Për ne megjithatë nuk ka asnjë ndryshim dhe asnjë ngurrim. E kemi ditur që në krye të herës se kë kemi përballë. Tanimë e dimë qartë të gjithë ata që e ushqenin edhe ndonjë iluzion se kë ka Shqipëria në qafë, e dimë po ashtu se sot jemi më të fortë se asnjëherë dhe si asnjëherë më parë të gjitha manovrat e paligjshme të Saliut nuk kanë asnjë shans ta ndryshojnë fatin e zgjedhjeve”, tha Rama.

Në përfundim, lideri i opozitës dha edhe një paralajmerim për Kryeministrin.

“Një gjë duhet ta dëgjojnë shqiptarët edhe sot. Edhe sikur në shtëpi t’i numërojë votat, Saliu do të largohet nga pushteti me një votë plebishitare, që nuk e mbyll dot më brenda në kuti bashkë me Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. 23 qershori është dita kur Shqipëria do të vendosë dhe asgjë nuk do ta ndalë dot në vendimin e vet sovran”, tha Rama.
 

Top Channel