Dorëhiqet zv/kryetari i KQZ, Denar Biba

16/04/2013 21:40

Institucioni, që do të administrojë proçesin zgjedhor të 23 qershorit, merr një tjetër goditje, vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve.

As më shumë e as më pak, por zëvendëskryetari i këtij institucioni, Denar Biba, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.

Anëtari, i propozuar nga Partia Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e ka bërë këtë vetëm një ditë, pasi mazhoranca në Kuvend shkarkoi kolegun e tij, Ilirian Muho.

Pikërisht me këtë fakt e lidh Biba largimin nga detyra. Ai e konsideron këtë, që në krye të deklaratës së dorëheqjes, një akt jashtëzakonisht të rëndë, në dëm të parimeve themelore të pushteteve, konsitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës.

Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ-në, për zëvendëskryetarin e këtij institucioni është qartësisht e dukshme dhe pa asnjë mëdyshje, mungesë vullneti për institucione të pavarura.

Përpara institucioneve të balancuara, thotë Biba, është nevoja për institucione të pavarura.

“Megjithëse të propozuar nga struktura parlamentare e të votuar me shumica, që tejkalojnë ngjyrimet partiake në Kuvend, dje, ne u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje ndonjërin, edhe duke e cënuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional. Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale, që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji, për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme, është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi, duke i servirur atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve”, ka deklaruar Biba.

I vetëdijshëm se aktet e dorëheqjes në Shqipëri, si protestë apo distancim nga proçese kompromentuese, janë të rralla dhe ndoshta edhe të paprecedenta, Denar Biba e sheh këtë si mundësi reflektimi për të gjithë:

“Le të shërbejë ky akt vullneti personal i imi, si nxitje për reflektim për secilin nga ju. Përfitoj nga rasti t’iu drejtohem bashkëqytetarëve të mi: Mos harroni, forca e pushtetit të popullit është më e madhe se forca e ca njerëzve në pushtet!”

Largimi i një tjetër anëtari nga trupa e KQZ-së fut në krizë institucionin më të lartë zgjedhor, duke rënduar situatën e tensionuar parazgjedhore në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA