
”LSI deklaron bashkimin e votave në të gjithë këshillat vendore me PS dhe heq mbështetjen politike çdo të zgjedhuri vendor që ka dalë nga koalicioni i LSI-së me PD”.
Pavarësisht se pas largimit nga qeveria, Ilir Meta deklaroi se nuk do të prekej bashkëpunimi me demokratët në nivel vendor, shkarkimi i Ilirian Muhos në Kuvend solli këtë levizje politike të LSI-së, për t’u bashkuar me socialistët edhe në pushtetin lokal.
Lëvizja Socialiste për Integrim tha se ky është vetem hapi i parë politik, që do të pasohet edhe nga të tjerë.
Në Kuvend do të përshkallëzohet aksioni i opozitës, do të përshkallëzohet reagimi politik dhe për hir të balancës në KQZ, ironizoi LSI, nuk do të njihet asnjë vendim që nuk merret 5 me 2.
Levizja Socialiste për Integrim, e cila ka rritur tonet ndaj Partise Demokratike që për të është tashme parti–shtet, tha se veprimet e koordinuara të opozitës që nga ky moment do të bëhen në mbrojtje të votes së lirë të shqiptareve. Duke e cilësuar kryeministrin Berisha si armikun e zgjedhjeve të lira, LSI tha se objektivi tashmë është i qartë.
”Ky është largimi i menjëhershëm dhe përfundimtar i Sali Berishës nga qeveria dhe nxjerra e PD-së, që tashmë është një parti-shtet, në opozitë”, tha Ylli Manjani, Sekretari i LSI-së për Çështjet Zgjedhjore.
Menjëherë pas kesaj deklarate, aksioni i pare i perbashket i se majtes ka qene mbledhja e keshilltarëve të saj në Bashkinë e Tiranës.
Ata kanë nënshkruar kërkesën për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të kryeqytetit me kërkesën për shkarkimin e kreut të këtij këshilli, demokratit Njazi Kosovrasti dhe në kushtet e shumicës, të majtet do të emërojnë një anëtar të tyre në këshill.
”Kjo që po ndodh sot është nisja e një procesi shumë të gjerë në gjithë Shqipërinë, që do t’i hapë rrugë shtrirjes në të gjithë bashkitë e komunuat, ku forcat politike do të bashkohen për të garantuar atë që thashë. Njëkohësisht, sot, grupet e këshilltarëve socialistë dhe të LSI-së sapo firmosën kërkesën që do t’i drejtohet Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shkarkimin e Njazi Kosovrastit për të nisur hapat e mëtejshëm”, deklaroi Aldrin Dalipi, kryetari i këshilltarëve socialistë.
”Nuk jemi një opozitë kokëforte që reagon ndaj bashkisë apo gjithçkaje thjesht sepse jemi në opozitë. Ne do të mbajmë qëndrime të drejta sa herë që janë në përputhje me ligjin e interesat e qytetarit, që ne mbrojmë në këtë këshill bashkiak”, tha kryetari i grupit të këshilltarëve të LSI-së.
“Në kushtet kur institucionet janë në kontrollin e Berishës”, thanë të majtët, “bashkëpunimi i gjerë lokal dhe aksionet e përbashketa politike do të bejnë”, siguroi kreu i PS në Tiranë, Saimir Tahiri, “që opozita të ruaje fitoren që shqiptaret do t’i japin në 23 qershor”.
”Sali Berisha nuk ka asnjë shans që të ndalë votën e qytetartëve apo të manipulojë votën edhe sikur t’i teket t’i numërojë në shtëpinë e tij me Shkëlzenin, Argitën dhe Nul Mokën”, tha Tahiri.
“Zgjidhje ngërçit të Fierit”
Bashkimi i votave PS-LSI në pushtetin vendor do të zgjidhë edhe ngërçin e lindur në qarkun e Fierit pas zgjedhjeve të pushtetit vendor në vitin 2011. Një gjë të tillë e ka premtuar Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili gjatë një takimi me mbështetësit e kësaj force politike në qytetin e Fierit.
“Ne kemi marrë veprimin legjitim dhe politik për të vendosur në vendin e duhur pushtetin vendor në Shqipëri dhe duke nisur pikërisht nga këtu ku jemi në Fier, ku ekziston një problem i vjetër, i mbartur që nga sot do të nisë të marrë zgjidhje. Kjo është një përgjigje e veprimit banditesk të djeshëm”, tha zoti Vasili.
PD sulmon Ramën
“Vetëm zoti Rama i lidhur vetë kokë e këmbë me botën e krimit mendon se është mëse e pranueshme të gënjesh komisionet parlamentare, të fshehësh lidhjet me krimin për të cilat je shkarkuar me dekret presidencial nga detyra sepse ke lënë në liri një njeri të dënuar nga gjykatat ndërkombëtare me burgim të përjetshëm për armëmbajtje, vrasje dhe prostitucion. Si gjithmonë zoti Rama vazhdon të sajojë nga salloni i tij mavi justifikime se përse do të humbasë njësoj si në 2007 dhe 2009 dhe në vitin 2011 ku qytetarët nuk e përkrahën. Besonte se me Ilirjanin e tij do të përsëriste skenarin e vitit 2003 që përdori në zgjedhjet e 2003 kundër avokatit Ngjela”, tha Bogdani.
Top Channel