
PDIU ka reaguar në lidhje me publikimin në Fletoren Zyrtare të rezolutës për çështjen çame, që në përfundim të një hetimi parlamentar, rezultoi e miratuar në një votim që në vitin 2004.
Kjo parti thotë se teksti i kësaj rezolutë ka shumë ngjashmëri me projekt-rezolutën e parashtuar prej tyre në Komisionin e Jashtëm Parlamentar. Sipas PDIU-së, votimi i kësaj rezolute është konfirmuar edhe nga vetë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Pas këtij hapi, thotë PDIU, asnjë qeveri nuk mund të lërë më pas dore çështjen e të drejtave të çamëve dhe duhet të respektojnë vullnetin e parlamentit.
Rezoluta për cështjen çame e vitit 2004 u paraqit për votim në Kuvend në atë kohë nga deputetë të Partisë së Ballit Kombëtar. Në përfundim të votimit, rezoluta mori 53 vota pro, 55 abstenime dhe 4 vota kundër të PBDNJ-së.
Rezoluta shprehimisht “i kërkon qeverisë së Republikës së Shqipërisë të shtojë më tej përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe pasurive të tjera të patjetërsueshme të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet e njohura ndërkombëtare; Çmon se gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë në aspektin teknik dhe juridik midis qeverive të dy vendeve për çështjen e sekuestros konservative të vendosur si rrjedhojë e Ligjit të Luftës të vitit 1940 mbi pasuritë e popullsisë çame, si dhe ngrirjen e ligjit Nr. 2664 të 3 dhjetorit të vitit 1998, do të përbënin një kontribut shumë të rëndësishëm për kapërcimin e problemeve të krijuara prej tyre”.
Top Channel