
Nga Lushnja, ku prezantoi programin qeverisës të Partisë Socialiste për zhvillimin rural, kreu i socialistëve, Edi Rama premtoi zgjidhjen e cështjes së certifikatave mbi pronësinë e tokës brenda mandatit të parë qeverisës.
“Ne jemi të vendosur që brenda mandatit të parë të mbyllim kapitullin që nuk mund të vazhdojë më shumë akoma se sa çerekshekulli të mungesës së çertifikatave të pronësisë mbi tokën. Jemi të vendosur që nga njëra anë të shkojmë përpara me metodologji të qartë dhe transparente për t’u dhënë fermerëve çertifikatat e pronësisë dhe nga ana tjetër të vendosim ligje të hekurta për mospunimin e tokës”, tha Rama.
Lideri i opozitës u ndal edhe tek gjendja aktuale e fshatit dhe për penalizimin që u bëhet fermerëve për shkak të mungesës së sistemeve vaditëse të tokës. Rama tha se nuk mund të tolerohet më kjo situatë që po çon drejt shterpëzimit të tokës në një vend që renditet i dyti në Europë për burimet ujore në raport me sipërfaqen.
“S’mund të qendrojmë pasivë apo të tolerojmë rrënimin përballë pasojave të mosujitjes normale të tokës në një vend që është i dyti në Europë për burime ujore në raport me sipërfaqen, në një vend ku nëse ka një dhuratë bërë bujarisht nga Zoti dhe natyra është potenciali i zhvillimit rural”, shtoi Rama.
Rama premtoi ndryshimin e kësaj situate dhe shpenzimin e 160 milion dollarëve në vetëm për ngritjen e sistemeve vaditëse në vend.
“Brenda mandatit të parë do të investohemi me të gjitha forcat financiare dhe intelektuale për të garantuar ujitjen e tokës. Kjo është pjesë e veçantë e programit tonë të detajuar. 160 mln dollarë do të shkojnë për sektorin e vaditjes”, shtoi kreu i PS-së.
Rama akuzoi kryeministrin Berisha se ka mashtruar fshatin si me taksat ashtu edhe me premtimet e tij për mbështetje në veprimtarinë e tyre. Qeveria, tha Rama, nuk i di nevojat e fshatit.
“Pas 23 qershorit, fermerët do të gjejnë tek qeveria partnerin që u ka munguar gjatë gjithë kësaj kohe. Ne do t’i mbështesim ata”, mbylli fjalën e tij Rama.
Top Channel