Prokuroria ka kërkuar dënimin me 17 vjet burg të Nazime Vishës, vajzës
18-vjeçare nga Burreli, e cila vrau një burrë me të cilin kishte lidhje
intime dhe, që sipas saj, kishte abuzuar seksualisht me të që në moshën
14-vjeçare.
“Në kohën e kryerjes së krimit vajza sapo kishte kaluar moshën 18-vjeç. Ajo ishte rritur në kushte të vështira ekonomike, ku edhe vizita në Tiranë quhej luks, me dëshira të shumta dhe me mundësi realizimi tepër të pakta. E ndodhur në këto kushte, një ditë kur ajo ishte vetëm fëmijë, ka takuar dikë që ka treguar interes për të. Një ditë, pavarësisht dëshirës apo jo të vajzës, ai ka abuzuar me të në mënyrë më të ulët, duke shkelur çdo normë, ligjore, morale dhe pse jo edhe njerëzore. Që në momentin kur viktima ka nisur joshjet dhe më pas kur ata janë bashkuar seksualisht, jeta e kësaj të fundit ka hyrë në një vorbull të rrezikshme, pasi e pandehura ka qenë tërësisht e pandërgjegjshme për atë çfarë po bënte dhe gjithashtu edhe për pasojat e një raporti të tillë absurd dhe pa të ardhme”, tha prokurori i çështjes Blerim Tominaj.
Prokurori, ne kete menyre duke u perpjekur te bashkojë kornizat ligjore me rrethanat familjare dhe psikologjike të 18-vjeçares Nazime Visha, deklaroi pretencën për vrasjen e 45-vjeçarit Fuqiri Muça.Prokurori tha se vërtetë adoleshentja është autore e krimit me paramendim, por nuk është një kriminele, pasi ajo është abuzuar fillimisht nga i ndjeri.
“Ai ka gjetur të vetme vajzën e vogël Nazime, në atë kohë rreth 14 vjeç dhe i ka kërkuar të kryejë marrëdhënie seksuale. Megjithë kundërshtimin e kësaj të fundit, siç pretendon vetë ajo, ai ka realizuar qëllimin e tij, gjë të cilën ka vazhduar ta bëjë thuajse në të gjitha rastet, kur ai ishte mysafir dhe ‘rastësisht’ babai i saj nuk ndodhej aty”, thotë Prokurori.
Prokurori shtoi se pas kësaj historia ka vijuar me dëshirën e të dyve, përfshi edhe largimin e Nazime Vishës, në kohën kur ishte e fejuar, por edhe rikthimin e 45-vjeçarit për ta marrë nga shtëpia e gjyshërit në Krrabë. Prokuroria kërkoi denimin e Nazime Vishes me 17 vjet burg, ku nuk perjashtohet edhe ulja e nje te tretes se denimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. ‘Vajza e kreu krimin, – tha prokurori,- me qetesi te plote, pasi pa qe njeriu i cili kishte moshen e të atit i kishte shkatërruar jetën’.
“Në këto kushte, gjykoj se analiza e ngjarjes, shkaqeve, faktorët me të cilët shkon në tragjedi, duke nënkuptuar këtu jo vetëm viktimat, por edhe të pandehurën meritojnë trajtim tërësisht të veçantë, jo thjesht si ngjarje kriminale me një autor dhe një viktimë, pasi ajo është tashmë tërësisht e qartë dhe pa ekuivok, por si një fenomen i cili i pranuar apo ajo, i hapur apo i fshehur, në këto formë apo në forma të tjera më të kamufluara, edhe për shkak të shkallës së intelektualitetit të protagonistëve të saj, është prezent edhe në ambiente të tjera”, tha Tominaj.
Avokatja e te pandehures e konsideroi pretencen mjaft të ashpër.
Top Channel