Projekti i qeverisjes socialiste të pas 23 qershorit, kapitulli për rininë është prezantuar nga Edi Rama së bashku me Sekretarin për Rininë dhe Emigracionin Erion Velia, përpara të rinjve nga Komuna e Petrelës në rrethin e Tiranës.

Edi Rama, në fjalën e tij është ndalur fillimisht në rëndësinë që do t’i japë qeverisja socialiste reformimit të sistemit arsimor.

“Ne jemi të vendosur që t’i kthejmë shkollat në qendra komunitare. Ne jemi të vendosur që t’ua kthejmë investimet prindërve tuaj, që sakrifikojnë shumë për t’ju çuar ju në shkollë, por njëkohësisht t’iu kthejmë ju në fund të këtij rrugëtimi investimin e energjive, të kohës dhe të mundit tuaj për t’u pasuruar me dije”, tha Rama.

Më tej kreu opozitës deklaroi se vizioni PS është për t’i dhënë të rinjve që jetojnë në fshat mundësinë që nëpërmjet punës me tokën të fitojnë e të pasurohen duke krjuar më shumë mirëqënie.

“Toka sot nuk u jep njerëzve që jetojnë në fshat mundësinë që të krijojnë mirëqënie. Ne duam që toka ta bëjë këtë, ashtu siç e bën në të gjitha vendet e Europës, ku nuk ka më fshatarë të varfër, nuk ekzistojnë fshatarët e varfër, sepse toka është një pasuri e madhe që mund të prodhojë pasuri të mjaftueshme për njerëzit që jetojnë në fshat dhe mund të garantojë vazhdimësinë e një jetë normale për gjeneratat e reja të fshatit”, shtoi kryesocialisti.
 Nëpërmjet programit për një Rilindje Shqiptare, tha Rama, qeverisja socialiste do t’u rikthejë të rinjve besimin se ëndërrat dhe shpresat janë mëse të realizueshme.

“Në programin tonë ne kemi një zotim, një zotim themelor, që vajzave dhe djemve të këtij vendi t’ju japim arsye të besojnë se ëndërrat dhe shpresat e tyre janë plotësisht të realizueshme nëse së bashku fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe së bashku e kthejmë fitoren në një instrument që të hapi rrugë të reja dhe perspektiva të reja për çdo vajzë dhe djalë të këtij vendi”, deklaroi Rama.

Top Channel