
Në një reagim nga selia e Partisë Demokratike është komentuar rrëfimi i kryetarit socialist Edi Rama të enjten në Top Story.
Duke u ndalur në qendrimin e Ramës për 21 janarin zëdhënësja e Partisë Demokratike deklaroi se kjo parti kërkon nga drejtësia hetimin e organizatorëve të protestës që përfundoi me katër viktima.
“Edi Rama u rrëfye hapur të enjten se ai tashmë është i friksuar deri në neveri nga 21 janari, se ai trembet dhe nuk i pëlqen të flasë më për këtë histori dhe se tani top story i tij është koalicioni i ri i ngjarjeve. Madje ai shkoi edhe më larg kur tha se atyre që vazhdojnë të flasin për 21 janarin u ka lënë mallkimin e zotave. Rama nuk u ndal këtu por tha se aleancën e ngjalave e ka bërë pikërisht si aleancë shpëtimi për 21 janarin. Hapur dhe troç, zoti Rama manifestoi publikisht të enjten se 21 janari atë e tmerron dhe se nuk ka qenë asnjëherë për të një cështje parimi dhe drejtësie, por mirëfilltas një pjesë e strategjisë së tij për të marrë pushtetin me dhunë dhe më pas për nekrofili elektorale. Është e qartë se për zotin Rama kjo cështje nuk ekziston më. Pasi dështoi të vinte në pushtet me përpjekjen për puç shteti, që për fat të keq solli viktima dhe pasi 21 janari nuk e realizoi ëndrrën e tij kryeministrore, tani duke u gëzuar martesës së re të ngjalave, zoti Rama kërkon ta fshijë këtë ngjarje. PD i kërkon drejtësisë të mos ndikohet nga këto lojëra politike dhe garanton shqiptarët se ajo do të bëjë gjithcka për të vënë drejtësi dhe për të vënë para përgjegjësisë organizatorët dhe nxitësit e dhunës së pashembullt ndaj institucioneve që sollën katër të vrarë”, deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi.
Top Channel