Nga konferenca e prezantimit të programit qeverisës të Partisë Socialiste të mbajtur në Durrës, Edi Rama ka ironizuar konventën e demokratëve për fshatin. Duke cituar kreun e qeverisë, sipas të cilit janë shpenzuar për 323 mijë familjet që jetojnë në fshat rreth 22 mijë dollarë në vit, kreu i opozitës llogariti si përkthehet kjo konkretisht.

“Pra në gjithë këto vite kjo është ndihma që i është dhënë fshatit, 22 dollarë në vit për familje dhe një litër naftë në muaj. Tani ka zbuluar formimin profesional; vajta, tha, në një fermë dhe e shoqja e fermerit më tha; zoti kryeministër ne e kemi mirë punën me lopët po nuk e kemi mirë punët me krahun e punës sepse janë të paformuar profesionalisht dhe kjo tha është shumë interesante. Kishte shumë të drejtë zonja dhe mua më hapi horizontin që të merremi me formimin profesional! A e kuptoni se kush e drejton Shqipërinë?! A e kuptoni se cfarë niveli?! Ky është nivel që fyen lopën, jo më fermerët dhe shqiptarët e mencur që jetojnë në fshat”, tha Rama.

Kryetari i opozitës u ndal gjatë në ekonominë që po fundoset nga kjo qeveri, sic tha ai, duke shpjeguar përmes shifrave. Me gjysmë miliardi lekë që i mungon sot buxhetit të shtetit nga rënia e dërgesave të emigrantëve, 1 miliard të munguara nga korrupsioni dhe abuzimi me pasuritë publike dhe 1.3 miliard  që ikin jashtë Shqipërisë për pastrim parash, janë treguesit e greminës ekonomike.

Për të ka qenë i drejtë propozimi i opozitës për ndërhyrjen e menjëhershme përmes një pakete masash për clirimin e likuiditetit, pasi kërcënohen edhe depozitat e qytetarëve në kushtet e rritjes së portofolit të kredive të këqija.

“Ne i kemi bërë parashikimet e përshkallëzimit të krizës aq realisht saqë vit pas viti edhe institucionet prestigjoze ndërkombëtare kanë ardhur drejt parashikimeve tona”, tha Rama.

Duke premtuar hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punes, lidhjen e arsimit me tregun e punës, Edi Rama u apeloi shqiptarëve ta vlerësojnë 23 qershorin si ditë tejet të rëndësishme.

“Shqipëria sot duhet të rilindë përsëri duke u ndarë nga pushteti i një partie familjare që kërkon të tërheqë prej hunde të gjithë shqiptarët dhe që është kthyer në sekëlldi kombëtare”, shtoi kreu i PS-së.

Top Channel