SHBA-Kinës: Ndërmjetëso me Korenë Veriore

12/04/2013 08:50

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Kinës që të përdorë të gjithë influencën e saj mbi Korenë e Veriut, në një përpjekje për të bindur regjimin e Kim Jong-un që të heqë dorë nga “veprimet destabilizuese” në rajon.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ndodhet në Seul, ku sipas burimeve të afërta me të, të cituara nga “BBC”, do t’i kërkojë Kinës që të marrë ndërmjetësimin me Penianin “me urgjencë”.

Pas sanksioneve të OKB-së ndaj Koresë së Veriut për testimin e paautorizuar bërthamor të shkurtit dhe lëshimin e një sateliti me anë të një rakete me rreze të gjatë veprimi në dhjetor, situata ka arritur një pikë kritike tensioni, me vendin komunist që ka përgatitur raketat e tij dhe kërcënon me sulme bërthamore Korenë e Jugut dhe SHBA-në.

Urgjenca që Kerry kërkon nga Pekini në ndërmjetësimin me Korenë e Veriut duket se ka si synim që të bindë regjimin e Kim Jong-un që të heqë dorë nga një testim i ri bërthamor, që sipas burimeve të inteligjencës mund të ndodhë që në fillimjavën e ardhshme.

Një eventualitet i tillë do të përshkallëzonte tensionin në një nivel të paprecedent.

Kina konsiderohet gjerësisht si aleati i vetëm i madh i Koresë së Veriut, ndonëse së fundmi, edhe Pekini ka dënuar e ka votuar pro sanksioneve, pas testimit bërthamor.

Ndërkohë, Pentagoni mohoi vërtetësinë e një raporti të një kongresmeni amerikan, i cili vlerësonte se vendi komunist është në gjendje që të montojë mbushje bërthamore në raketat e tij balistike.

Kongresmeni, duke iu referuar të dhënave të përfituara nga Agjensia e Mbrojtjes Kombëtare deklaroi se “me një siguri të lartë”, Korea e Veriut është në gjendje që të lëshojë një raketë bërthamore, ndonëse “precizioni dhe efikasiteti” i saj mund të ishte problematik.

Një zëdhënës i Pentagonit, ndryshe Ministrisë Amerikane të Mbrojtjes, deklaroi: “Do të ishte e pasaktë të sugjerohet se Korea e Veriut ka testuar, zhvilluar apo është në gjendje të përdorë ato aftësi e kapacitete të armëve bërthamore, që i referohet pasazhi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA