
Kreu i opozitës Edi Rama shprehu mirënjohjen për qëndrimet e Shteteve
të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, për atë që Rama e cilësoi si një qëndrimin i qartë e të prerë, ndaj përpjekjes së marrë të Kryeministrit
për të marrë me dhunë kontrollin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Asnjëherë në këta 8 vjet shkeljesh të përsëritura kushtetuese e ligjore nga ana e Kryeministrit, deklaratat e partnerëve të mëdhenj të Shqipërisë nuk kanë qenë më të drejtpërdrejta. Sepse asnjëherë më parë, shkelja e Kushtetutës dhe ligjit nuk ka qenë më e hapur se sa përmes kësaj nisme brutale, për të zëvendësuar forcërisht një anëtar të KQZ. Kryeministri në ikje po e përjeton keq verën e një vetmie të madhe ku do të mbetet pa asnjë aleat serioz, fillikat si në vitin ’97, përballë furisë popullore që do t’i japë fund sundimit të tij me votën për një Rilindje Shqiptare në 23 qershor”, tha Rama.
Rama nuk u kursye ta krahasojë, këtë veprim të Kryeministrit me aktet e atyre që ndërmarrin sulme kamikaze, duke i kërkuar të heqë dorë nga ky akt i jashtëligjshëm.
“Ende më shumë, kuturisja e Kryeministrit për ta kthyer shumicën e tij prej kartoni në një kamikaz që të hedhë në erë KQZ-në, hedh në erë edhe njëherë të drejtën themelore e të papërmbushur në gjithë këto vite të shqiptarëve, për të ushtruar pa asnjë pengesë të drejtën sovrane të zgjedhjes së lirë të qeverisë së tyre. Deklaratat e troçta të Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian janë thirrje të forta që një marrëzi e tillë e dhunshme të mos ndodhë. Ne i bashkohemi këtyre thirrjeve duke kërkuar nga kryeministri, që të mos i faturojë Shqipërisë e popullit shqiptar koston e panevojshme të mosrealizimit të zgjedhjeve plotësisht të lira e të ndershme”, tha Rama.
Ne do ta respektojmë deri në fund dokumentin themelor të zgjedhjeve, tha Rama, dhe prandaj edhe as do të tolerojmë shkeljen e njëanshme të Kodit për të uzurpuar politikisht KQZ-në, as do të bëhemi pjesë e asnjë marrëveshjeje që anashkalon Kodin Zgjedhor, për të zgjidhur problemin e krijuar nga kalimi i LSI në opozitë. Rama e ftoi kryeministrin Berisha për t’u bërë siç theksoi ai kontributor i një rotacioni paqësor me zgjedhje të lira e të ndershme.
Top Channel